BALLKANI

Vendimi për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike në Kosovë mund të merret brenda janarit

Kryesuesi i këtij bordi, Ymer Fejzullahu, tha se tashmë e kanë marrë kërkesën për shtrenjtim të energjisë elektrike nga kompania KEDS dhe aktualisht po e shqyrtojnë atë dhe më pas nëpërmjet anëtarëve të bordit do të merret vendimi përfundimtarë

Agim Sulaj   | 14.01.2022
Vendimi për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike në Kosovë mund të merret brenda janarit Foto: Erkin Keçi / AA

Prishtinë

Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Kosovë mund të marrë vendim brenda muajit janar për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët në territorin e vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryesuesi i këtij bordi, Ymer Fejzullahu, i cili ka në përbërje pesë anëtarë, tha se tashmë e kanë marrë kërkesën për shtrenjtim të energjisë elektrike nga kompania për distribuim me energji elektrike në Kosovë, Korporata Energjetike Distribuuese e Kosovës (KEDS). Ai tha se aktualisht po e shqyrtojnë atë dhe më pas nëpërmjet anëtarëve të bordit do të merret vendimi përfundimtarë.

Ymeri përmendi se nuk përjashtohet mundësia që vendimi për shtrenjtim të energjisë të ndodhë edhe në gjysmën e dytë të muajit janar apo rreth datës 20 janar.

“Do ta vendosim në diskutim publik. Sipas ligjit janë dy javë ditë në diskutim publik ku kanë të drejtë secila palë të japë komentet dhe sugjerimet e tyre. ZRRE do t’i analizojë dhe do t’i shqyrtojë dhe do t’i përgjigjet të gjitha komenteve të cilat i pranon për secilin dokument”, tha Fejzullahu.

Fundi i vitit 2021 në Kosovë ngjalli reagime në opinionin publik për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike pothuajse në të gjithë territorin e vendit, e për këtë Fejzullahu thotë se viti 2021 në këtë aspekt ka qenë vit “jo i kënaqshëm”, por sipas tij ishte maksimumi i tyre që mund të bënin.

Gjatë kësaj jave, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, paralajmëroi se ZREE po e shqyrton kërkesën e KEDS-it për shtrenjtim të rrymës për kosovarët nga 30 deri në 40 për qind nga muaji shkurt i këtij viti.

Kjo ngritje e çmimit të faturave të energjisë elektrike në Kosovë, sipas KEDS-it, është e nevojshme për shkak të mungesës së prodhimit vendor të energjisë elektrike dhe shtrenjtimit të saj në bursat ndërkombëtare.

Sistemi elektro-energjetik i vendit ka një xhiro rreth 300 milionë euro në vit, kostoja e kësaj krize mund të shkojë së paku 100 milionë euro shtesë.

Ndryshe, konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë apo çmimin më të lirë krahasuar me vendet e rajonit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın