BALLKANI

"Vendet tona do të mundësojnë fuqizimin e ekonomive"

Ruçi tha se kjo konferencë do të diskutojë disa çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal, të cilat zhvillohen e mbështeten nga Procesi i Berlinit, lidhshmëria, transporti, lëvizja e studentëve dhe njohja e diplomave

Saimir Alija   | 17.01.2020
"Vendet tona do të mundësojnë fuqizimin e ekonomive"

Tiranë

Në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua konferenca e Komisioneve Parlamentare për Integrimin Evropian të shteteve të Evropës Juglindore, raporton Anadolu Agency (AA).

Në Konferencën e 16-të të këtyre komisioneve të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizimit dhe Asocimit të Evropës Juglindore morën pjesë përfaqësues të parlamenteve nga vendet e Evropës Juglindore, ndërsa fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.

Në fjalën e tij, Ruçi tha se kjo konferencë do të diskutojë disa çështje të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal, të cilat zhvillohen e mbështeten nga Procesi i Berlinit, lidhshmëria, transporti, lëvizja e studentëve dhe njohja e diplomave.

“Të gjitha këto aspekte janë thelbësore për zhvillimin, bashkëpunimin dhe kohezionin rajonal. Nëpërmjet tyre, vendet tona do të mundësojnë fuqizimin e ekonomive dhe shoqërive të tyre, për të ndërtuar një rajon me zhvillim, mirëqenie, paqe, stabilitet, siguri e qarkullim të lirë të ideve, mallrave, kapitaleve, shërbimeve e qytetarëve. Me qëllim që të ndërtojmë një rajon paqësor, produktiv e konkurrues, që shfrytëzon në mënyrë racionale e të qëndrueshme burimet dhe pasuritë tona dhe i përkthen ato në mirëqenie për qytetarët”, tha Ruçi.

Duke folur për rëndësinë e konferencës, kryeparlamentari Ruçi theksoi se çështjet që do të diskutohen në këtë takim nxisin jo vetëm bashkëpunimin rajonal, por edhe bashkëpunimin e rajonit tonë me pjesën tjetër të kontinentit dhe na afrojnë më shumë me familjen europiane.

“Mjaft vende të rajonit janë anëtare të NATO-s, por nuk kanë ende një perspektivë të qartë drejt BE-së. Serbia dhe Mali i Zi kanë çelur negociatat, por janë në vendnumëro. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u refuzuan pa të drejtë dhe pa e merituar nga ky proces në mbledhjen e Këshillit Europian të 17-18 tetorit. Ndërsa Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina kanë një perspektivë edhe më të paqartë. Kjo pozitë asimetrike midis integrimit në NATO dhe integrimit në Bashkimin Europian dëmton jo vetëm vendet e rajonit, por edhe vetë Bashkimin Evropian”, theksoi Ruçi.

Kryeparlamentari i Shqipërisë tha më tej se “Ballkani Perëndimor ndodhet në kryqëzimin e influencave të qytetërimit perëndimor dhe atyre joperëndimore. Qëndrimet e dyzuara të vendeve skeptike dhe imponimi i tyre ndaj Këshillit Europian, natyrshëm lëshojnë terren për influencat joperëndimore”, tha Ruçi.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Majlinda Bregu, përfaqësues nga komisionet parlamentare për integrimin evropian nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın