BALLKANI

Vendet e QUINT-it kërkojnë nga Kosova ta lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në komunat me shumicë serbe

"Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në reagimin e tyre

Agim Sulaj   | 14.01.2022
Vendet e QUINT-it kërkojnë nga Kosova ta lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë në komunat me shumicë serbe

Prishtinë

Vendet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) përmes një deklarate të përbashkët i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të votojnë në referendumin kombëtar të Serbisë më 16 janar për ratifikimin e ndryshimeve kushtetuese në Serbi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton Zyra e BE-së në Kosovë, vendet e QUINT-it dhe BE-ja e mirëpresin referendumin e Serbisë, duke shtuar se “reformat janë hap para drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane”.

Këto shtete, sipas deklaratës së tyre, besojnë se referendumi gjithashtu është hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve të shtetit në sundimin e ligjit, ndërsa për këtë gjë edhe kanë inkurajuar qytetarët e Serbisë që të marrin pjesë.

Por, në anën tjetër, ata kanë shprehur pakënaqësi me mospranimin e Qeverisë së Kosovës që referendumi të mbahet në territorin e Kosovës sipas mënyrave që nuk i ka vendosur vetë qeveria kosovare.

“Vërejmë me keqardhje se Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në reagimin e tyre.

Vendet e QUINT-it dhe BE-ja po ashtu i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë që të përmbahen nga veprime dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

“Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në fund të reagimit.

Për referendumin i cili pritet të mbahet në Serbi dhe për kërkesën e palës serbe që ai të mbahet edhe në komunat me shumicë serbe në Kosovë gjatë kësaj të diele, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Megjithëse Borrelk kërkoi nga Kurti lejimin e këtij referendumi në Kosovë, kryeministri kosovar ka thënë se qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është se nuk mund të ketë referendum në Kosovë, por serbët me shtetësi të dyfishtë (të Kosovës dhe Serbisë) mund të votojnë me postë ose nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, e cila gjendet në ndërtesën e Delegacionit të BE-së në Prishtinë.

Më 16 janar, Serbia do të mbajë referendum për ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me fushën e drejtësisë, ku do të deklarohen nëse pajtohen me ndryshimin e kushtetutës në pjesën ku flitet për mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın