BALLKANI

Vendet e A-5 konfirmojnë angazhimin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe forcimin e sigurisë rajonale

"Ne besojmë se siguria e rajonit është e lidhur me stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë komunitetit euroatlantik dhe se A-5 është pikërisht ura që na çon drejt asaj të ardhmeje të përbashkët brenda BE-së dhe NATO-s", tha Helez

Vesna Besic  | 02.12.2025 - Përdıtësım : 02.12.2025
Vendet e A-5 konfirmojnë angazhimin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE dhe forcimin e sigurisë rajonale Foto: Samır Jordamovıc/AA

Sarajevë

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit ministror të vendeve nënshkruese të Kartës SHBA-Adriatik (A-5) në Sarajevë, u theksua angazhimi për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe komunitetin euro-atlantik dhe për forcimin e bashkëpunimit politik dhe ushtarak, me qëllim forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, raporton Anadolu.

Ministri i Mbrojtjes i Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez kryesoi takimin ministror të vendeve nënshkruese të Kartës SHBA-Adriatik (A-5), i cili u mbajt në Sarajevë të hënën dhe të martën, me temë forcimin e rezistencës së vendeve të rajonit ndaj kërcënimeve moderne të sigurisë.

Në takimin, në një format joformal Gymnich, morën pjesë delegacione të nivelit të lartë nga Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Maqedonia e Veriut, SHBA-ja dhe Bosnjë e Hercegovina si dhe përfaqësues të vendeve vëzhguese: Sllovenia, Serbia dhe Kosova.

"Për herë të parë, vëzhguesit ishin të pranishëm, që do të thotë pesë shtete anëtare plus një shtet amerikan dhe tre vëzhgues, përkatësisht Kosova, Serbia dhe Sllovenia. Shpreh kënaqësinë time që për herë të parë i sollëm Kosovën dhe Serbinë në të njëjtën tryezë dhe që ata morën pjesë në mënyrë të barabartë si vëzhgues", tha Helez duke shtuar se temat ishin sfidat e sigurisë dhe e ardhmja e A-5.

Pjesëmarrësit e rangut të lartë në takim, përveç Helezit, ishin ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu dhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci si dhe Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së për Politikën Evropiane dhe të NATO-s, Alton Buland.

Pjesëmarrësit në takimin dyditor diskutuan për masat dhe aktivitetet që ata zbatojnë në nivel kombëtar dhe rajonal me qëllim forcimin e rezistencës ndaj sfidave bashkëkohore. Hapat e ardhshëm në kuadër të nismës A-5 u formalizuan në një deklaratë të përbashkët që u nënshkrua në fund të takimit.

Deklarata e përbashkët thekson veçanërisht angazhimin për integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor në BE dhe komunitetin euroatlantik si dhe për forcimin e bashkëpunimit politik dhe ushtarak, me qëllim forcimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

"Ne besojmë se siguria e rajonit është e lidhur me stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë komunitetit euroatlantik dhe se A-5 është pikërisht ura që na çon drejt asaj të ardhmeje të përbashkët brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Për Bosnjë e Hercegovinën, këto janë të përcaktuara qartë dhe me vendime të institucioneve kompetente, të konfirmuara qëllime të politikës së jashtme dhe prioritete absolute", tha Helez në fjalimin e tij.

Ai theksoi se këto bisedime treguan se vendet e rajonit ndajnë të njëjtat vlera në mbrojtje kundër rreziqeve të ndërthurura konvencionale, kërcënimeve hibride dhe kibernetike si dhe sfidave gjithnjë e më të shpeshta klimatike.

"Kompleksiteti i kërcënimeve do të thotë që bashkëpunimi ynë po bëhet edhe më i rëndësishëm. Jam i kënaqur që sot kemi përcaktuar edhe udhëzime konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të A-5, përfshirë forcimin e qëndrueshmërisë, sigurinë kibernetike, përmirësimin e bashkëpunimit civil-ushtarak dhe zgjerimin e mëtejshëm të veprimeve tona të përbashkëta", tha Helez duke shtuar se "forcimi i qëndrueshmërisë duhet të mbetet në qendër të politikave tona të mbrojtjes dhe sigurisë".

"Është themeli i aftësisë sonë për të ruajtur paqen, për të mbrojtur qytetarët dhe për të siguruar stabilitetin në rajon", tha ai. Helez shprehu shpresën se në kohën e duhur vëzhguesit e kësaj iniciative do të bëhen anëtarë të plotë, gjë që do ta zgjeronte atë në formatin A-8.

Karta SHBA-Adriatik përfaqëson një nga mekanizmat më të rëndësishëm të bashkëpunimit rajonal të mbrojtjes. Që nga themelimi i saj në vitin 2003, A-5 ka shërbyer si një platformë për ndërtimin e besimit, harmonizimin e politikave të mbrojtjes dhe përgatitjen e shteteve anëtare për anëtarësim të plotë në strukturat euroatlantike.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın