Fatjon Cuka
29 korrik 2026•Përditësim: 29 korrik 2026
Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), është mbajtur seanca e radhës për çështjen ndaj ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, i cili ndodhet në paraburgim.
GJKKO konfirmoi për Anadolu se gjatë seancës së sotme ishte i pranishëm edhe Meta, si dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi, e cila ka vazhduar sipas gjykatës me paraqitjen e parashtrimeve të saj.
Sipas gjykatës, seanca e radhës për çështjen ndaj ish-presidentit Meta do të mbahet më 10 shtator.
Kujtojmë se gjykatat në Shqipëri kanë refuzuar në seancat e kaluara kërkesat e ish-presidentit Meta për lirim nga paraburgimi.
Ish-presidenti Meta është arrestuar më 21 tetor 2024, i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale në lidhje me çështjen që është e njohur si "Kontrata e shërbimit CEZ-DIA" dhe për "kontrata lobimi në SHBA". Aktualisht, Meta është në paraburgim dhe vazhdon procesi gjyqësor ndaj tij.
Sipas Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Meta është i dyshuar për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish.
Meta, i cili aktualisht është kryetar i partisë opozitare, Partisë së Lirisë, ka mbajtur poste të larta në institucionet e shtetit shqiptar.