BALLKANI

Varhelyi: Duhet të fillohen negociatat për anëtarësim me Shkupin dhe Tiranën

Në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin teknik Oliver Spasovski, komisari Oliver Varhelyi tha se nuk ka asnjë ndryshim në vlerësimet në lidhje me dy shtetet e Ballkanit Perëndimor

Abdula Berısha   | 15.01.2020
Varhelyi: Duhet të fillohen negociatat për anëtarësim me Shkupin dhe Tiranën ( Abdula Berısha - Anadolu Agency )

Shkup

Kryeministri i qeverisë teknike të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, ka pritur në takim Komisarin e Bashkimit Evropian (BE) për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varhelyi, i cili qëndron në vizitë zyrtare në vend, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media, Spasovski tha se anëtarësimi në BE është ndër prioritetet e larta strategjike të Maqedonisë së Veriut. Duke theksuar zhgënjimin nga vendimi i vitit të kaluar i BE-së për të mos filluar bisedimet, Spasovski tha se vendimi për fillimin e bisedimeve duhet të merret sa më shpejt që është e mundur.

"Programi i Komisionit të ri Evropian paraqet një shpresë të re të madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e pozicioneve tona si anëtare të ardhshme të BE-së. Komisioni Evropian gjithmonë ka qenë dhe mbetet aleati ynë i parë dhe i sinqertë në përpjekjen tonë për anëtarësim në BE dhe ne presim që kjo aleancë të vazhdojë me përbërjen e re të Komisionit Evropian", tha Spasovski.

Spasovski gjithashtu tha se Maqedonia e Veriut është e interesuar që sa më shpejtë të publikohet dokumenti për ndryshimet e metodologjisë për bisedimet për anëtarësim, i cili nga komisari Varhelyi është paralajmëruar se do të publikohet deri në fund të këtij muaji.

Komisari Varhelyi tha se kjo është vizita e tij e parë zyrtare jashtë BE-së, duke shtuar se ka dashur që vizita e parë të jetë në Maqedoninë e Veriut, e cila sipas tij, ka bërë shumë përpjekje për të filluar bisedimet për anëtarësim.

Varhelyi gjithashtu tha se do të vazhdojë procesi i zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se do të vazhdojnë të punojnë edhe më fuqishëm në këtë aspekt.

"Për komisionin e ri, zgjerimi nuk është tabu, për Komisionin e ri zgjerimi është prioritet. Komisioni nuk mund të punojë pa një ndikim më të madh në rajon dhe unë do të përkushtohem në punën time për të arritur këtë. Ne duhet të punojmë në bazë të vlerësimit se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme për të filluar negociatat e anëtarësimit. Nuk ka asnjë ndryshim në këtë dhe ne do t'i përmbahemi vlerësimit tonë origjinal, që është se duhet të fillojmë negociatat e anëtarësimit me këto dy shtete", tha Varhelyi.

Ai gjithashtu tha se nevojitet një vendim pozitiv i Këshillit të BE-së për fillimin e bisedimeve para Samitit të radhës së BE-së i cili do të mbahet në Zagrab në muajin maj. Varhelyi theksoi se për këtë arsye, në muajt në vijim do të punohet në pakon e re të bisedimeve për anëtarësim.

Varhelyi inkurajoi institucionet e Maqedonisë së Veriut që të vazhdojnë me reformat, sidomos me ligjin e ri të Prokurorisë Publike.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın