BALLKANI

"Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, një nga qendrat e arsimit akademik në Ballkan"

Rektori Mehmet Dursun Erdem tha se universiteti numëron 3 mijë studentë, përfshirë të huaj, dhe boton 13 revista në fushën e shkencave shoqërore dhe të inxhinierisë

Sefa Şahin   | 30.01.2021
"Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, një nga qendrat e arsimit akademik në Ballkan" Foto: Sefa Şahin / AA

Ankara

SEFA ŞAHİN

Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Maqedoninë e Veriut është bërë një nga qendrat arsimore akademike të Ballkanit me ofrimin e mundësive të studimit për studentët nga e gjithë bota, si dhe 13 revista që boton në fushën e shkencave shoqërore dhe inxhinierisë.

IBU, e cila vepron në një ndërtesë historike nga periudha e Sulltan Abdulhamidit II në Shkup, u hap në vitin 2006 me mbështetjen e filantropëve turq, për të ofruar mundësi arsimi veçanërisht për studentët në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkan.

Universiteti, i cili vazhdoi aktivitetet e tij arsimore me ndërtimin e kampusit të ri në vendin e një kazerme historike të periudhës osmane, fitoi identitet ndërkombëtar me studentë nga vende të ndryshme të Evropës.

Sot, universiteti ofron arsim 100 për qind në gjuhën angleze për 3 mijë studentët me 9 fakultete, 14 drejtime masteri të akredituara dhe 2 programe doktorature dhe kontribuon në botën e shkencës me 13 revista akademike në fushën e shkencave shoqërore dhe inxhinierisë.

"Procesi akademik që filloi me 8 studentë vazhdon me 3 mijë studentë"

Rektori i IBU-së, Prof. Dr. Mehmet Dursun Erdem, duke folur për Anadolu Agency (AA), deklaroi se universiteti u themelua në vitin 2006 për të ofruar mundësi arsimimi veçanërisht për studentët në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkan.

Ai tha se universitet përfshin shkollën e lartë të shëndetësisë dhe fakultetet juridik, të arkitekturës, inxhinierisë, pedagogjisë, shkencave humane dhe shoqërore, shkencave administrative ekonomike, dizajnit të artit dhe stomatologjisë, duke shtuar se procesi akademik që filloi me 8 studentë në themelimin e tij tani vazhdon me rreth 3 mijë studentë sot.

Mbi 70 për qind e studentëve në IBU janë nga Maqedonia e Veriut dhe Ballkani në përgjithësi, por ka studentë edhe nga 20 vende të tjera, përfshirë edhe SHBA-në, Katarin, Turqinë dhe Turkmenistanin.

Siç tha ai, në këtë universitet ligjërojnë edhe profesorë të ardhur nga Stambolli dhe Ankaraja.

"Ne u zgjodhëm si universiteti që ofron arsimin më të mirë në Maqedoni sipas kritereve të Shangait. Ashtu siç perceptohen universiteti i parë apo i dytë në Turqi, po ashtu është edhe perceptimi ndaj nesh këtu në Maqedoni”, tha Erdem.

Përveç lëndës së gjuhës turke, 100 për qind e lëndëve mësimore zhvillohen në gjuhën angleze, rikujtoi Erdem.

"Tetë revista të botuara në fushën e shkencave shoqërore në kuadër të universitetit bëjnë botime të përziera, në gjuhën angleze, turke dhe ruse. Ndërkaq, pesë revista në fushën e inxhinierisë botohen 100 për qind në gjuhën angleze. Këto janë botime serioze me indekse ndërkombëtare. Për shembull, revista ‘Turkish Studies’ e botuar në fushën e shkencave shoqërore, vitin e kaluar, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Rrjetit Akademik dhe Informacionit (ULAKBİM) pranë TUBITAK-ut, ishte revista e dytë më e cituar. Po ashtu, ajo kishte mijëra citime në indeksin Web of Science", tha Erdem.

Erdem foli edhe rreth pretendimeve se ata pranojnë studentë me diplomë të shkollës së mesme, pa provim pranues, duke theksuar se rreth 200.000 studentë të huaj që studiojnë në Turqi, regjistrohen me diplomat e tyre, pa provim pranues.

Sipas tij, studentët pranohen sipas suksesit të tyre në provimin e gjuhës dhe kulturës së përgjithshme, gjë që, sipas Erdem, është një praktikë e zbatuar në disa universitete në Britani dhe Perëndim.

“Quhen universitete pa provime (pranuese). Në çdo universitet ku shkoni në Ballkan, do të regjistroheni me diplomë. Kjo situatë është e njëjtë në Evropë dhe Amerikë. Institucioni më i mirë në Maqedoninë e Veriut akuzohet se është universitet pa provim. Cili universitet pranon studentë ndërkombëtarë me provim? Të gjitha këto janë gjëra që synojnë të krijojnë perceptime dhe unë mund të garantoj që burimi i tyre është tek (organizata terroriste) FETO", tha Erdem, duke theksuar se është e lehtë të regjistrohesh në IBU, por është e vështirë për t'u diplomuar.

Ai tha se akuzat kundër universitetit bëhen në bazë të lajmeve të botuara nën ndikimin e mentalitetit të organizatës terroriste FETO.

"FETO është zgjeruar në gjithë këtë rajon. Unë pyes: A vijnë këto pretendime nga atje? Po përballemi me të njëjtat pretendime", tha Erdem.

“Studentët ndërkombëtarë pa provim mund të shkojnë në një universitet tjetër në botë. Është diçka e njohur, por përveç kësaj, ka një përpjekje për të krijuar një perceptim në këtë drejtim. FETO janë profesionistë në lidhje me këto perceptime. Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, si më parë, është pengesa më e rëndësishme kundër strukturimit të FETO-s në Maqedoninë e Veriut dhe Ballkan. Ata ende po merren me këtë. Unë këtë e vlerësoj brenda kësaj kornize. U bëj thirrje atyre që nuk dëgjojnë dhe nuk lexojnë, kur të publikohet një lajm ose ka ndonjë situatë, le të na telefonojnë dhe ne do t'u japim të gjitha përgjigjet e nevojshme", shtoi rektori i IBU-së.

Erdem tha se në periudhën e pandemisë COVID-19, IBU është i vetmi universitet në vend që ka zhvilluar në mënyrë sistematike arsimin në distancë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın