BALLKANI

Të pandehurit për tragjedinë në Koçan nuk pranojnë fajësinë, gjykimi vazhdon më 4 dhjetor

Në bankën e të akuzuarve u ulën 37 persona, prej tyre pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetar komune, roje të sigurisë dhe nëpunës civilë

Abdulbesar Ademi  | 02.12.2025 - Përdıtësım : 02.12.2025
Të pandehurit për tragjedinë në Koçan nuk pranojnë fajësinë, gjykimi vazhdon më 4 dhjetor Foto: AA/Arkiv

Shkup

Të gjithë të pandehurit për zjarrin në lokalin e natës në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, në seancën e sotme në sallën e gjyqit deklaruan se nuk ndihen fajtorë për krimet për të cilat ngarkohen, transmeton Anadolu.

Disa prej të pandehurve u shprehën ngushëllime familjeve të viktimave dhe theksuan se e kuptojnë akuzën, por nuk e pranuan fajësinë për “krime të rënda kundër sigurisë publike”.

Avokatët e mbrojtjes theksuan se klientët e tyre nuk ndërmorën asnjë veprim që do të kishte lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen tragjike dhe se posedonin dokumentacion të vlefshëm.

Ata gjithashtu paralajmëruan paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të cilët, sipas tyre, do të konfirmojnë se të pandehurit nuk janë përgjegjës për zjarrin dhe se tragjedia është rezultat i dështimeve institucionale, jo faj i personelit.

Gjykimi po zhvillohet nën masa të përforcuara të sigurisë, me praninë e të pandehurve, të afërmëve të viktimave, prokurorisë, mbrojtjes dhe publikut.

Në bankën e të akuzuarve u ulën 37 persona, prej tyre pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetar komune, roje të sigurisë dhe nëpunës civilë.

Prokuroria, e përfaqësuar nga një ekip prej 15 prokurorësh publik, njoftoi se provat do të tregojnë se lokali i natës “Pulse”, ku ndodhi incidenti tragjik, ishte një kurth vdekjeprurës që nga fillimi, rezultat i neglizhencës sistematike dhe dështimeve institucionale.

Gjykimi do të vazhdojë më 4 dhjetor me deklaratat hapëse nga mbrojtja e të pandehurve të mbetur.

Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese, ku si pasojë humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të plagosur.

Nga hetimet e para pas incidentit rezultoi se objekti në fjalë vepronte me licencë të rreme dhe me vite ka funksionuar pa i plotësuar standardet e kërkuara.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.