BALLKANI

Turqia ofron ndihma për familjet në nevojë në Shqipëri

Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) për këtë vit me rastin e muajit të Ramazanit do të shpërndajë ndihma ushqimore në qytetet Tiranë, Berat, Kavajë, Elbasan, Pukë dhe Krujë

Fatjon Cuka  | 11.05.2019 - Përdıtësım : 12.05.2019
Turqia ofron ndihma për familjet në nevojë në Shqipëri ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) ka filluar shpërndarjen e ndihmave ushqimore për familjet në nevojë në Shqipëri, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë shpërndarjes së pakove ushqimore në Tiranë për dhjetëra familje që kanë pjesëtarë me aftësi të kufizuara ishte i pranishëm ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, përfaqësues të Shoqatës Kombëtare të Prindërve për Kujdesin e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë, si dhe përfaqësues të fondacionit turk TDV.

Gjatë fjalës përshëndetëse për të pranishmit, ambasadori turk tha se "Ju përcjell përshëndetjet e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe vëllezërve turq. Ne mundohemi ashtu si çdo vit që të përcjellim vëllazërinë, miqësinë me njëri-tjetrin duke qenë së nga Turqia vijnë delegacione dhe fondacione të ndryshme, njëri prej të cilëve është edhe fondacioni i Dijanetit të Turqisë. Mundohemi që çdo vit të japim ndihmën tonë për vëllezërit muslimanë në Shqipëri".

Ndërsa kryetari i Shoqatës Kombëtare të Prindërve për Kujdesin e Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Shqipërisë, Shefqet Taku, tha se ndihmat ndahen me rastin e muajit të Ramazanit. "Në emrin tim dhe në emrin e gjithë shoqërisë falënderojmë ambasadorin, zonjën e tij, stafin e ambasadës, Qeverinë turke, presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, i dashur për popullin shqiptar. Rroftë miqësia shqiptaro-turke", u shpreh Taku.

Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë për këtë vit me rastin e muajit të Ramazanit do të shpërndajë rreth 1020 pako me produkte ushqimore si miell, sheqer, oriz, vaj, makarona, kripë, etj, në qytetet Tiranë, Berat, Kavajë, Elbasan, Pukë dhe Krujë.

Institucione dhe organizatat nga Turqia çdo vit shpërndajnë ndihma për familjet në nevojë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın