Turqia, BALLKANI, Koronavirusi

Turqia nga 22 qershori planifikon fillimin e fluturimeve me Shqipërinë

"Që nga 10 qershori planifikojmë të fillojnë gradualisht fluturimet me 40 shtete ndërsa me Shqipërinë nga 22 qershori" tha ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Adil Karaismailoğlu

Arife Yıldız Ünal  | 04.06.2020 - Përdıtësım : 05.06.2020
Turqia nga 22 qershori planifikon fillimin e fluturimeve me Shqipërinë

Ankara

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Turqisë, Adil Karaismailoğlu tha se nga 10 qershori planifikojnë të fillojnë gradualisht fluturimet me 40 shtete ndërsa me Shqipërinë nga 22 qershori, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, Karaismailoğlu theksoi se Turqia ka zbatuar një e nga një hapat në kuadër të "normalizimit të ri" duke kapërcyer me sukses në krahasim me vendet e tjera të botës luftën kundër koronavirusit të ri (COVID-19).

Masat lidhur me luftën kundër pandemisë kanë qenë në nivelin më të lartë, tha Karaismailoğlu, i cili ka rikujtuar se më 1 qershor kanë filluar fluturimet brenda vendit dhe se për fluturimet jashtë vendit (ndërkombëtare) kanë nisur iniciativat me 92 shtete.

"Që nga 10 qershori planifikojmë të fillojnë gradualisht fluturimet me 40 shtete ndërsa me Shqipërinë nga 22 qershori" shtoi Karaismailoğlu i cili vuri në dukje se janë arritur dakordime paraprake me 15 vende lidhur me fazën e hapjes së ndërsjellë të fluturimeve të jashtme.

"Bashkëpunimi ynë vazhon me 92 vende për fluturimet jashtë vendit. Me institucionet dhe vendet po bisedojmë për zhvillimin e fluturimeve të sigurta. Aktualisht kemi arritur dakordim për fluturimet e jashtme me Republikën Turke të Qipros Veriore, Austrinë, Lituaninë, Serbinë, Kazakistanin, Shqipërinë, Bjellorusinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Moldavinë, Uzbekistanin, Ukrainën, Marokun, Jordaninë, Sudanin dhe Italinë", tha Karaismailoğlu.

Ai potencoi se në periudhën e pandemisë masa të tilla janë marrë në të gjithë vendet e botës. "Në përpjekje për parandalimin e pandemisë vendet pakësuan, madje mbyllën fluturimet e jashtme (ndërkombëtare). Tashmë jemi në pozicionin për të vazhduar globalisht lidhjet, tregtinë tonë", tha ai.

Ndërkohë linjat e jashtme të fluturimit që do të fillojnë gradualisht nga data 10 qershor, Karaismailoğlu i ka radhitur si më poshtë:

"Më 10 qershor me Republikën Turke të Qipros Veriore, Bahreinin, Bullgarinë, Katarin, Greqinë; më 15 qershor me Gjermaninë, Austrinë, Azerbajxhanin, Republikën Çeke, Kroacinë, Hong Kongun, Zvicrën, Japoninë, Republikën e Maqedonisë së Veriut, Lituaninë, Hungarinë, Poloninë, Rumaninë, Serbinë, Singaporin, Slloveninë, Taxhikistanin; më 20 qershor me Holandën, Belgjikën, Kazakistanin; më 22 qershor me Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Danimarkën, Estoninë, Finlandën, Korenë e Jugut, Irlandën, Malin e Zi, Kirgistanin, Letoninë, Luksemburgun, Norvegjinë, Sllovakinë".


- "Kemi koordinim shumë intensiv me ministritë tona"

Karaismailoğlu ka tërhequr vëmendjen se lidhur me fillimin e fluturimeve ndërkombëtare janë në një bashkëpunim shumë intensiv me Ministritë e Jashtme, të Shëndetësisë si dhe me Ministrinë e Kulturës dhe të Turizmit. Ai bëri të ditur se në fluturime shëndeti i qytetarëve do të jetë në plan të parë dhe se masat që do të zbatohen janë të rëndësishme.

Ministri Karaismailoğlu tha se qytetarët që mbërrijnë në vend me fluturimet e planifikuara në kuadër të masave të ndërmarra nga Ministria e Shëndetësisë më 20 maj do të kryejnë izolimet 14 ditore në shtëpitë e tyre pas trajtimeve mjekësore në aeroporte.

"Në kuadër të kësaj ndaj personave që do të rikthehen nga jashtë vendit nëpërmjet fluturimeve të planifikuara do të kryhen kontrollet e nevojshme në ambientet e caktuara në aeroport. Gjatë kësaj në hyrjet kufitare do të regjistrohen adresat dhe numrat e kontaktit të personave që janë kontrolluar. Për personat që dyshohen me simptomat do të vendosen në ambientet e izolimit në aeroport dhe më pas nëpërmjet shërbimit 112 do të referohen në spitalet përkatëse nga drejtoria e shëndetësisë së qyteteve", tha Karaismailoğlu.

Ai shtoi se në vlerësimet e bëra për personat që nuk kanë simptoma do të nënshkruhen formularët e miratimit dhe do të sigurohet që ata të dërgohen me mundësitë e tyre në shtëpi dhe të izolohen për 14 ditë. Gjatë këtyre ditëve do të kryhen kontrolle nga mjekët e familjes.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.