Transporti publik i Prishtinës mund të rikthehet në punë nga nesër
Transportuesit publik kanë protestuar për një javë e një ditë shkaku i borxheve nga komuna ndaj tyre, duke e lënë kryeqytetin kosovar pa shërbime të transportit publik
Prishtinë
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se janë alokuar 2.7 milionë euro për pagesën e operatorëve të transportit publik në Prishtinë, sipas vendimit të Kuvendit Komunal të Prishtinës për të hyrat vetjake, raporton Anadolu.
Murati tha se këto mjete janë proceduar veçmas nga pjesa tjetër prej 25.9 milionë eurove të projekteve kapitale.
Ai tha se vendimi i marrë nga Komuna e Prishtinës të enjten në mbrëmje për të hyrat vetjake, sipas legjislacionit në fuqi fillimisht duhej të kalonte verifikimin e ligjshmërisë, proces ky që bëhet nga ana e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
Murati e ka akuzuar Komunën e Prishtinës për dezinformata se gjoja ministria nuk po e bën alokimin e mjeteve.
“Në fakt edhe ata vetë e dinë që kemi të bëjmë me procedura që nuk mund të tejkalohen. Gjithsesi, uroj që komuna të ketë vlerësuar saktë obligimet financiare në kategorinë mallra dhe shërbime, kur ka vendosur të ndajë vetëm 2.7 milionë euro dhe tash të shlyejë të gjitha borxhet që ka ndaj operatorëve të transportit publik, e me këtë të marrë fund edhe farsa për gjoja bllokadën e pretenduar”, ka shtuar Murati.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë ditës kërkoi sërish nga ministri Murati që t’i transferojë të hollat në xhirollogarinë e komunës. Rama tha se komuna po pret transferimin e mjeteve nga ministria pasi javën e kaluar votuan bartjen e mjeteve në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Megjithatë, Rama në një tjetër status pas lajmërimit të ministrit Murati për alokimin e 2.7 milionëve, tha se Drejtoria e Financave e Kryeqytetit do të vazhdojë punën të martën jashtë orarit të rregullt të punës, me qëllim të procesimit sa më të shpejtë të pagesave.
Kjo pagesë e bërë nga Ministria e Financave për komunën do t’i hapë rrugës pagesave të faturave të pashlyera të Komunës së Prishtinës dhe fundit të grevës nga punëtorët e transportit publik të kryeqytetit.
Transportuesit publik kanë protestuar për një javë e një ditë shkaku i borxheve nga komuna ndaj tyre, duke e lënë kryeqytetin kosovar pa shërbime të transportit publik.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
