BALLKANI

Tiranë, Fondacioni Maarif organizon panairin e arsimit

Panairi arsimor synon rritjen e numrit të studentëve të huaj në universitetet e Turqisë dhe promovimin e universiteteve turke jashtë vendit

Fatjon Cuka   | 13.04.2019
Tiranë, Fondacioni Maarif organizon panairin e arsimit  ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Fondacioni Maarif i Turqisë (TMV) më 13-14 prill në Tiranë organizon panairin arsimor i cili synon rritjen e numrit të studentëve të huaj në universitetet e Turqisë dhe promovimin e universiteteve turke jashtë vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e hapjes së panairit në Muzeun Historik Kombëtar të Shqipërisë ishin të pranishëm ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes i Shqipërisë, Eduard Shalsi, zëvendës kryetari i Fondacionit Maarif, Osman Kabaktepe, ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, koordinatori Fondacionit Maarif në Shqipëri, Fatih Cankurt, përfaqësues të tjerë të institucione turke në Shqipëri, pedagogë dhe studentë.

Zv.kryetari i Fondacionit Maarif, Kabaktepe, tha se vizioni i Fondacionit Turk Maarif është të bëhet një institucion arsimor pionier që edukon njerëzit me mendje të pastër, të cilët, sipas tij përdorin dijen për arritjen e paqes dhe mirëqenies së njerëzimit.

“Ndërkombëtarizimi ka qenë dhe vazhdon të jetë fokusi më i rëndësishëm për Fondacionin Turk Maarif. Në një periudhë të shkurtër që nga themelimi në 2016, Fondacioni Turk Maarif është bërë një markë globale duke zhvilluar partneritete në më shumë se 70 vende dhe zotërimin e shkollave në 32 vende të ndryshme. Me studentët që shkojnë nga niveli para-shkollor deri në arsimin e lartë, shkollat Maarif paraqesin një mjedis të gjallë akademik dhe shoqëror, i cili përpiqet të krijojë një kulturë të mirëkuptimit dhe respektit dhe të shfrytëzojë potencialin unik të çdo nxënësi", tha ai. 

Duke ju drejtuar të rinjve shqiptarë Kabaktepe tha se "Rëndësia e Shqipërisë në rajon është e pamohueshme dhe të gjithë jeni individualisht të vlefshëm për zhvillimin dhe përparimin e saj. Nëse doni që vendi juaj dhe në përgjithësi rajoni të përmirësohen, arsimi i mirë, trajnimi i duhur, formimi i marrëdhënieve të bazuara në paqe do të jetë mbështetja juaj më e madhe".

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yöruk, tha gjatë fjalës së tij se ky panair edukimi është një mundësi e shkëlqyer për shqiptarët që të mësojnë më shumë për Turqinë.

"Edukimi midis vendeve tona është një fushë e mrekullueshme bashkëpunimi dhe ne po bëjmë një rritje në numrin e studentëve që vijnë nga Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. Mësimi i gjuhës turke dhe zotërimi i plotë i gjuhës turke krijon një mundësi të madhe punësimi në Shqipëri për të rinjtë shqiptarë. Pse? Për shkak se ne kemi rreth 450 kompani turke që punojnë në Shqipëri në një gamë të gjerë sektorësh, nga bankat tek minierat, nga tekstilet tek aviacioni, energjia, infrastruktura dhe komunikimi", tha ambasadori Yöruk.

"Jam i bindur se vëllezërit dhe motrat tona shqiptare do të zgjedhin Turqinë si destinacionin e tyre për arsimin e lartë dhe shpresoj se ky panair edukimi mund të kënaqë pritshmëritë tuaja dhe të hapë mundësi të reja për karrierën në të ardhmen”, tha ambasadori turk.

Panairi dyditor që organizohet për herë të parë në Shqipëri mbahet edhe nën kujdesin e Ambasadës së Turqisë në Tiranë dhe me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Në panair marrin pjesë Universiteti İstanbul Şehir, Universiteti Nişantaşı, Universiteti İstinye, Universiteti Şey Edebali nga Bilecik-u, Universiteti Ömer Halis Demir nga Niğde, Universiteti Pamukkale, Universiteti i Üsküdar-it, Universiteti Aydın i Stambollit, Universiteti İlim nga Qiproja, Universiteti i Erciyes-it, Universitet Ndërkombëtar Final, Universiteti Gelişim i Stambollit, dhe institucione të tjera arsimore, duke përfshirë edhe Universitetin e Fondacionit Maarif në Shqipëri, Universitetin New York Tirana.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın