BALLKANI

Thaçi: Është qenësore për demokracinë në Kosovë që Gjykata Kushtetuese të punojë e pavarur

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media tha se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese cilido qoftë ai rreth dekretit në të cilin propozohet kandidati i ri për kryeministër nga LDK-ja

Agim Sulaj  | 15.05.2020 - Përdıtësım : 15.05.2020
Thaçi: Është qenësore për demokracinë në Kosovë që Gjykata Kushtetuese të punojë e pavarur ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nëpërmjet një konference për media sot ka thënë se është qenësore që Gjykata Kushtetuese të punojë e pavarur dhe pa presione kur do të vendosë rreth dhënies të drejtë apo jo formimit të qeverisë së re, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi tha se Zyra e Presidentit të Kosovës, ka dorëzuar më 8 maj argumentet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Dekretit me të cilin dekret, sipas propozimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti i është propozuar Kuvendit të Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar qeverinë e re.

Ai tha se Kushtetuesja në këtë vlerësim duhet të punojë e pavarur dhe pa presione nga jashtë.

“E theksoj se është qenësore për demokracinë në Kosovë që Gjykata Kushtetuese të punojë e pavarur, pa presione nga cilado palë, qoftë politike, qoftë nga shoqëria civile, qoftë nga bashkësia ndërkombëtare. Askush nuk mund ta bllokoj vendin dhe institucionet e shtetit”, theksoi Thaçi.

Në të njëjtën ditë me Zyrën e Presidentit, më 8 maj, edhe LDK ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese argumentet sa i përket masës së përkohshme që ka marrë kjo gjykatë lidhur me dekretin e presidentit Thaçi.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 1 maj nëpërmjet një vendimi ka bërë të ditur se e ka pezulluar dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Kosovës si kandidat për kryeministër për të formuar qeverinë e re deri më 29 maj, kur pritet që ajo të merr një vendim të ri.

Thaçi tha se të gjithë duhet ta respektojnë procesin elektoral të 6 tetorit dhe ta pranojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që pritet të merret pas 29 majit.

“Askush nuk ka të drejtë të pretendojë të mbajë të uzurpuar asnjë zyrë të institucioneve të vendit, në veçanti pas vendimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të popullit dhe deputetëve që janë përfaqësues në Kuvend. Askush nuk e di se cili do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Askush nuk duhet të paragjykojë se do të jetë ky apo ai vendim”, tha Thaçi.

Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin u votua në Kuvendin e Kosovës me shumicë votash më 3 shkurt ndërsa më 25 mars nëpërmjet një mocioni të mosbesimit të inicuar nga partneri qeverisës i Vetëvendosjes, Lidhja Demokratike e Kosovës, u votua pro rrëzimit të qeverisë. Që nga 25 marsi, Qeveria vazhdon punën në detyrë.

Më 13 maj, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti mbushi 100 ditë ndërsa kryeministri në detyrë Kurti tha se “Qeveria do të mbetet në detyrë deri në zgjedhje të reja”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.