BALLKANI

Thaçi lidhur me bisedat fiktive: Zaev më kërkoi falje

Më tej, Thaçi ka theksuar se raportet me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojnë të jenë të mira, korrekte dhe të fqinjësisë së mirë

Agim Sulaj   | 11.07.2019
Thaçi lidhur me bisedat fiktive: Zaev më kërkoi falje ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i ka kërkuar falje për deklaratat e tij rreth planit për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë të bëra në një bisedë të tij fiktive telefonike, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi tha se Zaev e ka telefonuar atë të mërkurën dhe kanë biseduar për 20 minuta ku është sqaruar kjo çështje.

“Më ka thënë shumë qartë se kjo ka qenë një rrethanë në të cilën ka rënë pre e mashtrimit. Dhe e gjitha çka ka folur për gjoja 10 komunat që do t’i jepen Serbisë, i ka folur duke u bazuar në thashetheme, në dezinformata dhe në të dhënat apo lansimet e gazetës 'Sputnik' dhe thashethemeve ruse. Këto janë fjalët që m’i ka thënë. Më ka kërkuar falje mua personalisht, por dhe Kosovës”, tha Thaçi.

Më tej, Thaçi ka theksuar se raportet me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojnë të jenë të mira, korrekte dhe të fqinjësisë së mirë.

Nëpër media sociale u publikuan incizime në të cilat kryeministri Zaev bisedon gjoja me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, si dhe me ish-presidentin e Ukrainës, Petro Poroshenko, ku tregon një plan midis presidentit Thaçi dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, që “10 komuna në pjesën veriore të Kosovës t'i jepen Serbisë dhe disa komuna në jug të Serbisë t'i jepen Kosovës”.

Mirëpo, më vonë u kuptua se në telefon me Zaevin kishin manipuluar komedianët rusë Alexei Stolyarov dhe Vladimir Kuznetsov, për të cilën Zaev të martën nëpërmjet një konference për media e pranoi se ishte viktimë dhe shprehu keqardhje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın