BALLKANI

Thaçi: Kosova dëshmoi pjekuri të lartë politike dhe demokratike

"Tani të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, ka shkruar Thaçi

Agim Sulaj  | 07.10.2019 - Përdıtësım : 07.10.2019
Thaçi: Kosova dëshmoi pjekuri të lartë politike dhe demokratike

Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka uruar qytetarët e Kosovës për siç tha ai, zgjedhje shembullore, transmeton Anadolu Agency (AA).

Thaçi në një shkrim në rrjetet sociale të publikuar të hënën, tha se “Kosova dëshmoi pjekuri të lartë politike dhe demokratike”.

“I uroj qytetarët e Republikës së Kosovës dhe partitë politike për zgjedhjet shembullore, për votimin e dinjitetshëm, të lirë dhe demokratik. Kosova dëshmoi edhe një herë pjekuri të lartë politike dhe demokratike. Tani të njëjtën pjekuri politike duhet ta tregojmë edhe në formimin e qeverisë së re, sa më parë dhe në përballje me sfidat e menjëhershme që e presin Kosovën”, ka shkruar Thaçi.

Në zgjedhjet e 6 tetorit jehona e daljes në votim ishte 44,18 për qind apo 812.049 votues nga gjithsej 1.937.868 të regjistruar shfrytëzuan të drejtën e votës. Këto janë zgjedhjet e katërta të parakohshme parlamentare, nga gjithsej shtatë të mbajtura në vend, të cilat u shpallën pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj si arsye e ftesës ndaj tij nga Gjykata Speciale në Hagë.

Sipas rezultateve të deritanishme të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) nga gjithsej 97,37 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 25,61 për qind apo 199.506 vota kundrejt Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila ka siguruar 24,91 për qind apo 194.028 vota. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) renditet e treta me 21,06 për qind apo 164.018 vota.

Dje aktivistë dhe mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje dolën në sheshin “Skëndërbeu” të Prishtinës ku festuan deri në mesnatë dhe pritën kreun e VV-së, Albin Kurtin, i cili tha se pas çlirimit në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, viti 2019 është një entuziazëm i tretë dhe valë e re.

Kurti gjithashtu ka lavdëruar kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmanin, me të cilët pret të bëjë koalicion për të formuar qeverinë e re me koalicion paszgjedhor, pasi që nga bisedat e tij me kreun e kësaj partie, Isa Mustafën, nuk arritën të dakordoheshin të hyjnë në garë me koalicion parazgjedhor.






Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.