BALLKANI

Tetëmbëdhjetë vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve special të BE-së dhe SHBA-ve, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në vend dhe u vendosën kornizat për bashkëjetesë ndëretnike

Admir Fazlagikj   | 13.08.2019
Tetëmbëdhjetë vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

Shkup

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut po përfundojnë 18 vite që nga nënshkrimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, me të cilën iu dha fund konfliktit të armatosur në vend dhe u vendosën kornizat për bashkëjetesë ndëretnike, shkruan Anadolu Agency (AA).

Konflikti i armatosur në Maqedoni i vitit 2001 filloi në fillim të vitit, mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) dhe forcave të sigurisë së Maqedonisë. Konflikti vazhdoi në pjesën më të madhe të vitit 2001, ndërsa përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes kornizë të Ohrit në gusht të po të njëjtit vit, me çka u avancuan fillimisht të drejtat e shqiptarëve, por edhe bashkësive tjera jo shumicë në vend (turqve, boshnjakëve, serbëve, vllehëve dhe romve).

Negociatat filluan në Shkup, më pas vazhduan në Ohër, ku përfunduan me parafimin e dokumentit, ndërsa i njëjti u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 në rezidencën presidenciale në Shkup.

Marrëveshja kornizë, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, u nënshkrua mes partive më të mëdha politike në vend dhe përfaqësuesve special të Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Negociatat që zgjatën rreth dy muaj në qytetin e Ohrit, u mbajtën nën patronazhin e presidentit të atëhershëm të shtetit, Boris Trajkovski, ndërsa Marrëveshja u nënshkrua nga ana e liderëve të atëhershëm të partive politike, Branko Cërvenkovski, lider i Lidhjes Socialdemokratike të Maqedonisë (LSDM), Arben Xhaferit, lider i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), Lubço Gjeorgievski i VMRO-DPMNE-së dhe Imer Imerit nga Partia për Prosperitet Demokratik (PPD).

Nënshkrues të Marrëveshjes, në cilësinë e garantuesve, ishin edhe përfaqësuesi special i BE-së, Fransoa Leotar dhe përfaqësuesi special i SHBA-ve, James Perdue, të cilët morën pjesë në negociatat.

Përgjatë viteve, nga implementimi i Marrëveshjes kornizë të Ohrit, janë miratuar mbi 130 ndryshime dhe plotësime ligjore, prej të cilave pjesa më e madhe janë ligje për mosdiskriminim dhe përfaqësim të drejtë, ndërsa një pjesë e tyre janë në sferën e identitetit, kulturës, arsimit dhe decentralizimit të pushtetit.

Në muajin mars të vitit të kaluar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për avancimin e gjuhëve, pa debat amendamentesh.

Me ligjin parashihet që në të gjitha organet e pushtetit në Republikën e Maqedonisë së Veriut, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridik që ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucione tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonishte dhe alfabeti të saj të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe alfabeti i saj, (gjuha shqipe).

Përfaqësimi i drejtë i pjesëtarëve të bashkësive etnike në institucionet publike po ashtu është segment i Marrëveshjes kornizë, implementimin e plotë të së cilës e kërkojnë liderët politik të bashkësive etnike.

Sipas raportit vjetor për vitin 2018 të Ministrisë së Shoqërisë së Informacionit dhe Administrimit të Maqedonisë së Veriut, në institucionet e sektorit publik nga 112.164 të punësuar 83.993 ose 74,88 për qind janë maqedonas, 22.060 ose 19,67 për qind janë shqiptarë, 2.110 ose 1,88 për qind janë turq, 1.355 ose 1,21 për qind janë romë, 1.019 ose 0,91 për qind janë serb, 754 ose 0,67 për qind janë të tjerë, si dhe 450 ose 0,40 për qind janë boshnjakë dhe 423 ose 0,38 për qind janë vllehë.

Krahasuar me raportin e vitit 2017, gjendja ishte si vijon: 82.374 ose 75,36 për qind ishin maqedonas, 21.112 ose 19,31 për qind janë shqiptarë, 2.012 ose 1,84 për qind ishin turq, 994 ose 0,91 ishin serb, 1.245 ose 1,14 për qind ishin romë, 429 ose 0,39 për qind ishin boshnjakë, 408 ose 0,37 ishin vllehë, ndërsa 730 ose 0,67 për qind të tjerë.

18 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, opinioni i ekspertëve dhe publikut të gjerë për marrëveshjen është i ndarë.

Për disa, kjo marrëveshje kontribuoi në ndërtimin e Maqedonisë së Veriut multi-etnike, garantoi dhe promovoi të drejtat e komuniteteve më të vogla etnike, ndërsa të tjerët mendojnë se duhet ende shumë të bëhet për ta zbatuar atë.

Në kontekstin e zbatimit të marrëveshjes, vlen të përmendet se në vitin 2004 u formua edhe Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, që funksionon në kuadër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Sekretariat i për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka për detyrë të zbatojë plotësisht Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın