BALLKANI

Takimi i liderëve në Ohër, BeH dhe Mali i Zi me qëndrim zyrtar në dhjetor

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se Ballkani modern është ëndërr e qytetarëve, duke shtuar se takimi ka për qëllim që të mundësojë jetë më të mirë për qytetarët e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor

Abdula Berisha   | 10.11.2019
Takimi i liderëve në Ohër, BeH dhe Mali i Zi me qëndrim zyrtar në dhjetor ( Seyyid Emin - Anadolu Agency )

Ohër

Liderët e Ballkanit Perëndimor zhviluan një takim rajonal në Ohër ku diskutuan për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal në eliminimin e të gjitha pengesave për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në takim kanë marrë pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiç dhe ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliç.

Liderët rajonalë gjithashtu kanë mbajtur edhe një seancë plenare me përfaqësues të Bashkimit Evropian (BE), Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në konferencën e përbashkët për media të mbajtur pas takimit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, tha se Ballkani modern është ëndërr e qytetarëve, duke shtuar se takimi ka për qëllim që të mundësojë jetë më të mirë për qytetarët e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.

"Plani i veprimit parasheh funksionim të plotë të kufijve tanë, 24 orë dhe 7 ditë në javë. Mundëson lëvizje të plotë me karta identiteti të të gjithë qytetarëve të këtij rajoni. Mundëson kushte që nënkuptojnë qarkullim të shpejtë të kamionëve, kur ata kalojnë në vendkalimet tona kufitare. Mundëson plan të veprimit me qëllim final njohjen e ndërsjellë të të gjitha dokumenteve nga pjesa e agjencive të ushqimit dhe veterinarisë", tha mes tjerash Zaev, duke shtuar se kjo është iniciativë e parë që ndërmerret nga vetë shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se për shtetin e tij kjo është iniciativë shumë e rëndësishme, duke shtuar se për një kohë të shkurtër kanë arritur të arrijnë pajtim për çështje shumë të rëndësishme.

"Kur do të vendosim kujdestari të inspektimit fitosanitar dhe veterinar në vendkalimet tona kufitare, kur do të mundësojmë qarkullim më të shpejtë të kamionëve, sot përfaqësuesit nga Banka Botërore na thanë se vetëm në vendkalimet kufitare përkatëse mes vendeve, kursimi i përgjithshëm do të jetë 229 milionë euro. Vetëm për këtë shembull për marrëveshjen e vogël që e kemi arritur, shikoni se sa do të kursejnë qytetrët e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë", tha Vuçiç.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ideja e kësaj iniciative nuk është të ndajë Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se kjo është iniciativë e vendeve të rajonit dhe se institucionet ndërkombëtare ishin të ftuar, e jo ftues. Ai foli edhe për mospjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Kosova në takim, duke theksuar se këtë veprim nuk e sheh të arsyeshëm.

"As se gjej dot interesin, as se gjej dot përfitimin nga rikthimi vite e vite të largëta më parë, kësaj radhe jo me mospranim, po me vetëpërjashtim. Bashkëpunimi rajonal dhe jetësimi i 4 lirive të BE-së në bashkëpunim me vendet e rajonit, përfshirë Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, të cilat nuk e njohin Kosovën, nuk do të thotë as se Shqipëria ka ndryshuar qëndrim", tha Rama, duke paralajmëruar takimin e radhës që do të mbahet në dhjetor në Durrës dhe duke shpresuar që në të do të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Kosova.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, paraprakisht informoi se ka refuzuar pjesëmarrjen në Samitin e Ohrit, duke u shprehur se nuk dëshiron që ta zëvendësojë perspektivën euroatlantike me çfarëdo iniciative rajonale.

Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiç, tha se vendi i tij nuk ka marrë pjesë në përgatitjen dhe prezantimin e kësaj iniciative dhe se nuk ka konsensus dhe qëndrim përfundimtar.

"Është e nevojshme që institucionet e BeH-së, siç është Këshilli i Ministrave të BeH-së dhe Presidenca e BeH-së zyrtarisht të njoftohen me përmbajtjen e kësaj iniciative, me përfitimet e pritura dhe me modelet në bazë të të cilave do të zgjidhen dhe do të mënjanohen pengesat doganore, si dhe të avancohet bashkëpunimi ekonomik brenda shteteve të Ballkanit Perëndimor", duke paralajmëruar se një qëndrim i BeH-së tillë mund të pritet gjatë takimit në muajit të ardhshëm në Durrës.

Ministrja e Ekonomisë së Malit të Zi, Dragica Sekuliç, tha se çdo iniciativë për bashkëpunim ekonomik rajonal në Mal të Zi vlerësohet sipas asaj se a e përshpejton procesin integrues të vendit dhe se cilat janë përfitimet për qytetarët dhe ekonominë.

"Fatin e njëjtë do ta përjetojë edhe kjo iniciativë. Që të mund të vlerësohet në nivel të ekspertëve dhe në nivel të institucioneve, duhet të dëshmojë se cilat janë përfitimet për qytetarët dhe ekonominë tanë, ndërsa nga ana tjetër duhet të dëshmojë se me këtë iniciativë rajonale përshpejtohet rrugëtimi jonë drejt BE-së. Besoj se është një mundësi e mirë që për këtë të bisedojmë në dhjetor në Durrës", tha Sekuliç.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor thanë se nuk shohin alternativë të qëndrueshme përpos anëtarësimit të plotë në BE, gjë që është përmendur edhe në përfundimet e takimit. Megjithatë, liderët thanë se BE-ja duhet qartë të tregojë se çfarë kërkon nga vendet e rajonit.

Dje, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kanë mbajtur një takimit trepalësh ku kanë konfirmuar deklaratën me listën e prioriteteve dhe masave për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal, e cila rrjedh nga takimi i tyre i mëparshëm i mbajtur në qytetin Novi Sad të Serbisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.