BALLKANI

Takim rajonal për integrimin e romëve në Ballkanin Perëndimor

Takimi ka mbledhur drejtues dhe përfaqësues të ministrive dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për integrimin e romëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor

Saimir Alija  | 27.10.2020 - Përdıtësım : 27.10.2020
Takim rajonal për integrimin e romëve në Ballkanin Perëndimor Burimi: Qeveria e Shqipërisë

Tiranë

Qeveria e Shqipërisë dhe Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) kanë organizuar takimin rajonal për integrimin e romëve, për të diskutuar mbi sfidat dhe politikat që lidhen me integrimin e këtij komuniteti, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas organizatorëve, takimi është realizuar në kuadër të Procesit të Berlinit dhe miratimit të Deklaratës së Partnerëve të Ballkanit Perëndimor mbi Integrimin e Romëve, në samitin e vitit të kaluar të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Poznan, Poloni.

E pranishme në aktivitetin që u organizua online, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj tha se me firmosjen e deklaratës së Pozanit nga kryeministrat e rajonit, u rikonfirmua nevoja e ofrimit të përpjekjeve dhe angazhimit për barazi dhe integrim të romëve në shoqëri si dhe zotimin e qeverive në këtë drejtim.

Duke folur për atë çfarë Shqipëria ka realizuar deri më sot dhe synimet për të ardhmen, Manastirliu theksoi se vëmendja e Qeverisë së Shqipërisë ka qenë e pandalshme në çështjet e lidhura me mirëqenien e komunitetin rom dhe egjiptian, që lidhen direkt me shëndetësinë, arsimin, punësimin dhe formimin profesional, strehimin dhe të drejtat dhe liritë themelore të tyre.

"Janë marrë masa të rëndësishme për këtë komunitet sa i përket raportit me gjithpërfshirjen e fëmijëve, me indikatorë konkretë në lidhje me aksesin në arsim, me tarifat zero në universitete, me librat falas në shkolla, me të gjithë mbështetjen e vazhdueshme për integrimin e fëmijëve të rrugës në sistemin arsimor", tha ajo.

Edhe sa i përket arsimit profesional dhe punësimit, Manastirliu tha se janë marrë një sërë masash të rëndësishme për këto shtresa.

Sa i përket politikave të strehimit social, ministrja Manatirliu u shpreh se: "Ligji i ri i strehimit social ka sjellë një përmirësim radikal të programeve të strehimit, ku përfshihen si kategori prioritare komuniteti rom dhe egjiptian dhe ku vendoset në një dimension të ri mundësia për strehim të përshtatshëm, të përballueshëm. Këto programe të reja mundësojnë më shumë strehim të përballueshëm për komunitetin rom dhe egjiptian", theksoi Manastirliu.

Takimi ka mbledhur drejtues dhe përfaqësues të ministrive dhe institucioneve të tjera përgjegjëse për integrimin e romëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues nga organizatat ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile që mbështesin të drejtat e romëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.