Agim Sulaj
03 gusht 2026•Përditësim: 03 gusht 2026
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se deri më tani janë gjetur të paktën eshtra të cilat i përkasin katër viktimave të luftës së fundit në Kosovë, në lokacionin Jabukë të Zubin Potokut, transmeton Anadolu.
Sveçla i cili vizitoi lokacionin e gërmimeve në Jabukë, tha se viktimat dyshohet se pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi.
"Sapo erdha nga lokacioni ku është zbuluar varreza e re masive. Deri tash janë zbuluar të paktën 4 trupa, të cilët pas ekzekutimit janë hedhur në një gropë qereçi", tha Sveçla.
Ai tha se ekipet hetimore, ekspertët e forenzikës dhe të mjekësisë ligjore të Kosovës, me mbështetjen e ekspertëve të EULEX-it, po zhvillojnë punën në terren për zbardhjen e rastit.
"Hetimet për kriminelët që kanë shkaktuar këtë krim do të vazhdojnë. Ne nuk do të ndalemi derisa nuk zbulojmë edhe të pagjeturit e fundit, por po ashtu nuk do të ndalemi derisa secili kriminel të paguajë për krimet që kanë shkaktuar, posaçërisht për këto krime ku gjatë luftës kanë ekzekutuar njerëz të pafajshëm dhe pastaj kanë punuar që ky krim të fshihet", u shpreh ai.
- Pas përcaktimit kufomat do t'u dorëzohen familjeve
Në deklaratën e tij, Sveçla akuzoi Serbinë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe tha se ka pasur përpjekje të vazhdueshme për fshehjen e tyre.
Tutje Sveçla ka treguar se varreza e parë dhe varreza e dytë janë në të njëjtën luginë të përroit, gjë e cila bën për të dëshmuar që është i njëjti grup i viktimave.
"Është e njëjta luginë e përroit, gjë që bën për të dëshmuar që kemi të bëjmë me të njëjtin grup. Duke u shprehur ngushëllime familjeve të të pagjeturve, po ashtu, ju kërkoj durim deri në momentin kur shkenca, ekspertët tanë, të përcaktojnë saktë se kufomat cilëve individë u takojnë dhe pastaj patjetër t'u dorëzohen familjeve, por edhe si shoqëri dhe si shtet t'i përcjellim në mënyrë më dinjitoze të mundshme", tha Sveçla.
- Zbulohet lokacion i ri i dyshuar për varrezë masive
Gjatë të dielës Policia e Kosovës dhe Prokuroria njoftuan se është zbuluar një lokacion i ri, në Jabukë të Zubin Potokut, i dyshuar për varrezë masive, vetëm pak ditë pasi autoritetet kosovare gjetën në Kalludër të Zubin Potokut një varr masiv ku po dyshohet se në atë zonë janë trupat e 23 personave, të njohur si "grupi i intelektualëve" nga rajoni i Mitrovicës, të cilët ishin rrëmbyer më 19 prill 1999 dhe që nga atërherë fati i tyre mbetet i pazbardhur.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti paralajmëroi se gërmimet në Kalludër mund të zgjasin me muaj, për shkak të terrenit të vështirë dhe shpërndarjes së mundshme të eshtrave. Lidhur me këtë rast autoritetet kosovare arrestuan javën e kaluar tre persona të dyshuar në Zubin Potok për krime lufte.