BALLKANI

Szijjártó në Shkup: Për mua, argumenti për mungesë të kohës është qesharak

Duke komentuar faktin që Maqedonia e Veriut akoma nuk morri datë për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE, ministri i jashtëm hungarez tha se "kishte një lojë shumë të padrejtë për blerje të kohës"

Abdula Berisha  | 24.06.2019 - Përdıtësım : 25.06.2019
Szijjártó në Shkup: Për mua, argumenti për mungesë të kohës është qesharak Foto: Abdula Berisha/AA

Shkup

Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Péter Szijjártó, e ka cilësuar si qesharak argumentin se nuk ka pasur kohë të mjaftueshme që të merret vendim për fillim të negociatave me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), duke theksuar se vendi është kandidat për anëtarësim në BE për 14 vjet, që siç tha ai, është një kohë e mjaftueshme, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri Szijjártó po qëndron për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, ku është pritur nga zv/kryeministri për çështje evropiane në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani. Dy zyrtarët mbajtën një konferencë të përbashkët për media, pas çka pasoi takimi i dy delegacioneve.

Zv/kryeministri Osmani falënderoi Hungarinë për mbështetjen e dhënë si në procesin integrues të Maqedonisë së Veriut, ashtu edhe për ndihmën e ofruar gjatë krizës me emigrantët, duke shtuar se takimi më shumë fokusohet në çështjet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane.

"Do të diskutojmë përmbajtjen e raportit të progresit për Maqedoninë e Veriut të Komisionit Evropian, i cili edhe pse ishte raporti më i mirë deri më tani, në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje thotë se Republika e Maqedonisë së Veriut meriton të fillojë negociatat qasëse tani", tha Osmani.

Ministri i jashtëm hungarez theksoi nevojën e përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Szijjártó sqaroi se Hungaria është vend që kufizohet me këtë rajon duke shtuar se "e di mirë dallimin mes situatës stabile dhe jostabile" të këtij rajoni. Sipas tij, ky rajon mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë vetëm me integrim në BE.

Duke komentuar faktin që Maqedonia e Veriut akoma nuk morri datë për fillim të bisedimeve për anëtarësim në BE, Szijjártó tha se "kishte një lojë shumë të padrejtë për blerje të kohës”. Ai tha se Franca kërkonte prolongimin e raportit të progresit, ndërsa parlamenti gjerman nuk ishte i vendosur për të marrë vendim.

“Mund t’ju them se kjo ishte shumë e padrejtë ndaj shtetit tuaj. Çdokush e dinte orarin, dhe mund të them se kishte mjaft kohë për përgatitje. Kështu që të gjitha kushtet ishin plotësuar javën e kaluar për të marrë vendim për fillimin e negociatave qasëse me shtetit tuaj. Për mua, argumenti për mungesë të kohës është qesharak”, tha Szijjártó, duke shtuar se Maqedonia e Veriut është kandidate për anëtarësim në BE për 14 vjet, që siç tha ai, është një kohë e mjaftueshme.

Dy zyrtarët u pyetën rreth ish-kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, i cili qëndron në azil në Hungari. Ata thanë se kjo është një çështje gjyqësore e cila nuk ka ndikim në marrëdhëniet dypalëshe, aq më pak në aspekt të politikës së jashtme.

Ish-kryeministri maqedonas është dënuar me dy vjet heqje lirie për rastin “Tanku” lidhur me furnizimin e automjetit luksoz "Mercedes" në vlerë prej 570 mijë euro, ndërsa gjykohet edhe në disa raste të tjera për akuza që kanë të bëjnë me korrupsion, shpërdorim mjetesh financiare, si dhe vepra të tjera penale.

Vetë Gruevski në rrjetet sociale pati njoftuar se Hungaria është përgjigjur pozitivisht në kërkesën e tij për azil, pasi më herët u arratis duke u arsyetuar se po përballet me një përndjekje politike nga qeveria aktuale e këtij vendi.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.