BALLKANI

Shqipëria shpall person të padëshirueshëm një diplomat rus

Në njoftimin zyrtar nga MEPJ thuhet se Qeveria e Shqipërisë ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme, mbi shkeljet e hapura të masave (kundër COVID-19) nga ana e një diplomati të ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë

Fatjon Cuka  | 21.01.2021 - Përdıtësım : 22.01.2021
Shqipëria shpall person të padëshirueshëm një diplomat rus

Tiranë

Qeveria e Shqipërisë ka marrë vendim të shpallë person të padëshirueshëm diplomatin rus, Alexey Krivosheev, për shkeljen e masave kundër koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin zyrtar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) thuhet se që prej muajit prill 2020, por dhe në fillim të këtij viti, Qeveria e Shqipërisë ka pasur ankesa dhe denoncime të vazhdueshme, mbi shkeljet e hapura të masave të marra nga ana e një diplomati të ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë.

“Përfaqësues të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mikhail Afanasiev, duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti-COVID-19 nga diplomati. MEPJ ka mirëpritur dhe e vlerëson thellë rolin plotësisht bashkëpunues të ambasadorit për këtë çështje, me premtimin se këto akte nuk do të përsëriten. Fatkeqësisht, ndryshe nga premtimet, diplomati ka vijuar me shkeljen e masave, pavarësisht shprehjes së dëshirës së mirë të të dyja palëve për mospërsëritjen e shkeljeve", theksohet në njoftim.

“Me keqardhje, Qeveria Shqiptare ka marrë vendimin të shpallë ‘Person non grata’ (person të padëshirueshëm), diplomatin Alexey Krivosheev, me detyrimin që të largohet brenda 72 orësh nga momenti i dhënies së njoftimit zyrtar”, theksohet në njoftim.

MEPJ thekson më tej se "Urojmë që ky vendim i imponuar nga mosrespektimi i ligjeve dhe rregullave të shtetit shqiptar, në një kohë kaq sfiduese për gjithë globin, do të mirëkuptohet plotësisht nga pala ruse, si një masë e domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurinë e të gjithë shtetasve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, qofshin këta shqiptarë ose jo."

"Sigurojmë palën ruse për ndjenjat tona miqësore dhe për gatishmërinë tonë, në vijim të punës së mirë të nisur, për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve tona", thuhet tutje.

Në njoftim theksohet se Qeveria e Shqipërisë dëshiron forcimin e marrëdhënieve miqësore me Federatën Ruse, dhe shtohet më tej se "shpreh keqardhje që vullneti i mirë i të dyja palëve është cenuar nga veprime individuale, të përsëritura të personelit diplomatik rus në Tiranë, në mosrespektimin e masave të marra nga autoritetet shqiptare, për mbrojtjen e popullsisë ndaj COVID-19."

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın