BALLKANI

"Shqipëria mbështet vendimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë"

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka realizuar sot një takim me ministren finlandeze për Çështje Evropiane dhe Pronësisë, Tytti Tuppurainen dhe ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne

Fatjon Cuka  | 05.07.2022 - Përdıtësım : 06.07.2022
"Shqipëria mbështet vendimet e BE-së në politikën e jashtme dhe të sigurisë"

Tiranë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka realizuar një takim me ministren finlandeze për Çështje Evropiane dhe Pronësisë, Tytti Tuppurainen dhe ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne, duke biseduar për marrëdhëniet mes vendeve, integrimin evropian dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të përbashkët pas takimit, Xhaçka theksoi se Shqipëria mbështet qind për qind vendimet e Bashkimit Evropian (BE) në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë.

"Sa i takon procesit të integrimit të Shqipërisë në BE shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme e të palëkundur që të dy vendet i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Urojmë që, Bashkimi Evropian do të arrijë të marrë vendimin për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me vendin tonë sa më parë", ka deklaruar Xhaçka.

Ajo theksoi se Shqipëria mbështeti që në fillim kërkesën e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO.

Tuppurainen tha se Finlanda është një nga mbështetëset e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe theksoi se fillimi i negociatave do të jetë një vendim kryesor jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por sipas saj edhe për të gjithë rajonin.

"Shqipëria mbetet një shembull pozitiv duke thënë edhe fjalën e saj në nivel ndërkombëtar", u shpreh ajo. Tuppurainen shtoi se Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor duhet të ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin.

Byrne, duke iu referuar procesit të integrimit evropian, u shpreh se Shqipëria ka treguar tashmë një durim të madh dhe shtoi se shpreson që hapja e konferencës së parë ndërqeveritare të ndodhë këtë javë.

"Lufta në Ukrainë ka luajtur një rol të madh në Evropë, ka ngritur dhe një herë fokusin tonë tek siguria dhe sfidat me të cilat përballet kontinenti", tha Byrne. Ai theksoi se ideja dhe qëllimi i Bashkimit Evropian janë që të mbrojë paqen.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın