BALLKANI

Shqipëria dhe Kosova përshëndesin normalizimin Izrael-EBA

Normalizimin midis dy vendeve, mes tjerash e kanë përshëndetur Britania e Madhe, Franca, Bahreini, Egjipti, Kanadaja, Australia, si dhe vendet e rajonit si Shqipëria dhe Kosova

Shpetim Hiseni  | 14.08.2020 - Përdıtësım : 14.08.2020
Shqipëria dhe Kosova përshëndesin normalizimin Izrael-EBA

Shkup

Pas arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit, disa vende e kanë përshëndetur këtë vendim, duke e quajtur atë hap pozitiv dhe historik, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të përbashkët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në emër të Izraelit dhe EBA-së, dje u njoftua se presidenti amerikan Donald Trump, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu dhe princi i kurorës i Abu Dhabit, Mohammed bin Zayed Al Nahyan zhvilluan një telefonatë dhe “u arrit marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve” midis dy vendeve.

Përkundër dënimit të fuqishëm nga Autoriteti Palestinez dhe grupet palestineze disa vende e konsideruan marrëveshjen si hap të mirë.

Normalizimin midis dy vendeve, mes tjerash e kanë përshëndetur Britania e Madhe, Franca, Bahreini, Egjipti, Kanadaja, Australia si dhe vendet e rajonit si Shqipëria dhe Kosova.

“Kjo është me të vërtetë frymëzuese dhe uroj me gjithë zemër që të frymëzoj të tjerët në rajon të ndjekin të njëjtën frymë dhe të punojnë së bashku për një të ardhme të madhe të përbashkët për të gjithë njerëzit e tyre”, shkroi në Twitter kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka shkruar se “Republika e Kosovës e mirëpret njoftimin për normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis Israelit dhe EBA-së si një hap historik drejt një Lindjeje të Mesme më të qetë dhe më të prosperuar”.

“Ne e vlerësojmë udhëheqjen e SHBA-së dhe presidentit Trump në këtë hap të rëndësishëm për rajonin e Lindjes së Mesme”, ka thënë Hoti.

Kryeministri britanik, Boris Johnson në një postim në Twitter tha se “vendimi i EBA-së dhe Izraelit për të normalizuar marrëdhëniet është një hap tejet i mirë”.

“Ishte shpresa ime e thellë që aneksimi të mos avanconte në Bregun Perëndimor dhe marrëveshja e sotme për të pezulluar ato plane është një hap i mirëpritur në rrugën drejt një Lindjeje të Mesme më paqësore”, shkroi Johnson.

Ndërkaq, Franca e përshëndeti vendimin për pezullimin e planit izraelit për aneksimin e pjesëve të Bregut Perëndimor të pushtuar, duke e quajtur atë një hap pozitiv, sipas një deklarate nga ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian, i cili është shprehur se pezullimi “duhet të bëhet një masë definitive”.

Po ashtu, në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Bahreinit e ka quajtur marrëveshjen si një hap historik që “do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit dhe paqes në rajon”.

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi përshëndeti “përpjekjet e atyre që ishin përgjegjës për marrëveshjen për të arritur prosperitet dhe stabilitet" në rajon.

Ministrja e Jashtme e Australisë, Marise Payne shkroi në Twitter se “Marrëveshja midis Izraelit dhe EBA-së për të normalizuar marrëdhëniet dhe vendimi i Izraelit për të pezulluar planet e aneksimit në Bregun Perëndimor janë hapa të rëndësishëm përpara. Australia i mirëpret këto angazhime”.

Ministri i Jashtëm i Kanadasë, normalizimin midis EBA-së dhe Izraelit e ka quajtur “hap historik dhe pozitiv drejt paqes dhe sigurisë në rajon”.

Marrëveshja e normalizimit e njoftuar dje nga SHBA parasheh që Izraeli të "pezullojë" planet për të aneksuar pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe “të përqendrojë përpjekjet e tij në zgjerimin e lidhjeve me vendet e tjera në botën arabe dhe muslimane", thuhej në deklaratën e përbashkët.

Megjithatë, kryeministri izraelit Netanyahu dje tha se pezullimi është i përkohshëm dhe se nuk ka asnjë ndryshim në planin e aneksimit.

Siç u njoftua, në javët në vijim, zyrtarët e dy vendeve do të takohen për të firmosur marrëveshje dypalëshe në fusha të ndryshme.

EBA u bë vendi i tretë arab që firmos marrëveshje paqeje me Izraelin pas Egjiptit në vitin 1979 dhe Jordanisë në vitin 1994.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın