Shqipëri, TDV shpërndan pako me mish kurbani
Pakot u ndanë nën kujdesin e Zyrës së Këshilltarit për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë në ambientet e Xhamisë së Namazgjasë për familjet me fëmijë jetimë, personat me aftësi të kufizuara dhe familje të tjera në nevojë

Tiranë
Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë (TDV) ka shpërndarë pako me mish kurbani për familjet në nevojë në Shqipëri me rastin e Kurban Bajramit, raporton Anadolu.
Pakot u ndanë nën kujdesin e Zyrës së Këshilltarit për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë në ambientet e Xhamisë së Namazgjasë për familjet me fëmijë jetimë, personat me aftësi të kufizuara dhe familje të tjera në nevojë.
Këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, dr. Adem Gerlegiz, gjatë shpërndarjes së pakove me mish kurbani u shpreh se janë mbledhur për të përcjellë kurbanet si amanet të vëllezërve muslimanë nga Turqia.
Ai theksoi se Turqia është munduar të ndihmojë të gjithë njerëzit në nevojë kudo që ndodhen në botë.
"Për aq kohë sa të jetë jeta, Turqia do të vazhdojë të ndihmojë njerëzit në nevojë kudo që ndodhen. Turqia nuk do të lë të bërit mirë derisa të mbizotërojë mirësia mbi tokë. Për aq kohë sa Turqia do të jetë e fortë, aq më të mëdha do të jenë mundësitë për të ndihmuar njerëzit kudo që ndodhen", tha Gerlegiz.
Gjatë ditës së sotme në Tiranë u ndanë 100 pako, ndërkohë me kontributin e TDV-së në Shqipëri janë shpërndarë 450 pako me mish kurbani për familjet në nevojë.