BALLKANI

Shqipëri, sindikata turke "Hizmet-İş" shpërndan mjete shkollore për jetimët

Në mjediset e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke, prindërve dhe fëmijëve nga Tirana, u realizua shpërndraja e ndihmave për qindra fëmijë jetimë

Fatjon Cuka  | 19.10.2019 - Përdıtësım : 21.10.2019
Shqipëri, sindikata turke "Hizmet-İş" shpërndan mjete shkollore për jetimët ( Denis Vogli - Anadolu Agency )

Tiranë

Organizatat dhe institucionet e ndryshme nga Turqia vazhdojnë të ofrojnë ndihma për familjet në nevojë në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mjediset e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve turke, prindërve dhe fëmijëve nga kryeqyteti i Shqipërisë, u realizua shpërndraja e ndihmave për qindra fëmijë jetimë, me çanta dhe mjete shkollore, si dhe veshmbathje të ndryshme.

Sindikata Hizmet-İş nga Turqia ofroi 750 çanta shkollore së bashku me mjetet e duhura shkollore për fëmijët jetimë, ndërsa do të shpërndahen ndihma me veshmbathje edhe për 3.500 fëmijë jetimë që ofrohen nga Rektorati i Universitetit Selçuk të Konyas në disa qytete të Shqipërisë.

Ambasadori Turqisë në Tiranë, Murat Ahmet Yörük, gjatë fjalës së tij përshëndetëse tha se marrëdhënia e veçantë mes dy vendeve merr formë edhe duke ndihmuar njëri-tjetrin.

"Që nga e shkuara dhe tani kemi një marrëdhënie shumë speciale mes popullit shqiptar dhe popullit turk. Kjo marrëdhënie speciale merr formë duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe kjo është një ndër ato forma që tregon këtë marrëdhënien tonë speciale. Kemi aq shumë marrëdhënie të mira dhe speciale me njëri-tjetrin, saqë të jeni të sigurtë që nëse juve ju hyn një gjemb në këmbë këtu, dhimbjen e ndiejmë ne në Turqi", tha ambasadori turk. 

Ai foli edhe për ndihmat e shteti turk për Shqipërinë pas tërmetit të 21 shtatorit.

"Kemi qenë të pranishëm dhe me të vërtetë e kemi ndierë tërmetin e datës 21 shtator që ndodhi në Durrës dhe Tiranë. Pa humbur kohë, me urdhër të presidentit tonë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe me koordinimin e Qeverisë Turke, bashkë me Qeverinë e Shqipërisë kemi sjellë katër maune me çadra që familjet që kishin probleme me shtëpitë të mos kishin probleme me dimrin dhe që të kenë një shtëpizë vogël, që të kenë mundësi ta kalojnë dimrin sa më lehtë", tha ai.

Ambasadori i Turqisë në Tiranë, duke iu drejtuar të pranishmëve në aktivitet, tha se “Ne do të jemi gjithmonë pranë jush, sepse politika jonë e jashtme është politikë që e merr njeriun në qendër, është politikë që fillimisht vlerëson mbi të gjitha njeriun".

Ambasadori Yörük, duke folur për operacionin turk "Burimi i Paqes", që ka si qëllim për të siguruar kufijtë e Turqisë duke eliminuar elementet terroriste, u shpreh se "Këta terroristë e marrin forcën nga fuqitë ndërkombëtare që duan të prishin stabilitetin e gjithë asaj zone. Ne nuk kemi filluar luftë. Turqia ka filluar një operacion për të mbrojtur njerëzit e saj dhe për të mbrojtur territorin e saj, nuk është se i ka hapur luftë një shteti tjetër, por thjeshtë për mbrojtje. Është bërë një pauzim i këtij operacioni. Sigurisht që kemi dëshmorë, kemi dhe të plagosur. Të jemi të sigurtë që nuk do të na shtrëngojë njeri nga kjo e drejtë, jemi të drejtë në rrugën tonë dhe nuk do të na pengojë njeri që të vazhdojmë në këtë rrugë. Siguria e Turqisë është siguria e Ballkanit është dhe siguri për Evropën”.

Yörük theksoi më tej se "Populli turk dhe shteti turk kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë me ju. Gjithashtu do të ndajë edhe ekspeirencën edhe bukën përgjysmë me popullin shqiptar".

Ndërkaq, Celal Yıldız, zv/kryetari i përgjithshëm i Sindikatës Hizmet-İş, tha se "Është shumë i lumtur dhe i gëzuar që ndodhet në aktivitet bashkë me fëmijët jetimë".

"Jemi vëllezër dhe kemi shekuj që jemi vëllezër. Jemi si mishi me thonjtë që nuk ndahen, prandaj jam shumë i lumtur dhe i gëzuar që jamë pranë jush. Është e rëndësishme të jemi pranë fëmijëve që nuk kanë baballarët e tyre. Ne si konfederatë jemi gjithmonë dhe do të jemi pranë jush. Turqia dhe Shqipëria janë popuj vëllezër dhe jemi bashkë. Mos harroni, jemi përherë pranë jush", tha Yıldız.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, tha se me ndarjen e këtyre ndihmave po realizojnë projektin "Të qëndrojmë pranë jush".

"Këtë radhë, edhe me ndihma kancelarike, edhe me ndihma me rroba, këpucë, këmisha për jetimet. Fondacioni ynë prej vitesh është munduar të qëndrojë pranë jush me ndihma. Gjithashtu, përmendim edhe ndihmat që janë bërë gjatë këtij viti, si gjatë muajt të Ramazanit, ashtu edhe gjatë Kurban Bajramit", tha Gurra.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın