BALLKANI

Shqipëri, përfundoi takimi i Këshillit Ministror të OSBE-së

Në fjalën e tij në seancën përmbyllëse të takimit, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama tha se "ky këshill ministror është fundi i lumtur i rolit tonë"

Fatjon Cuka  | 04.12.2020 - Përdıtësım : 05.12.2020
Shqipëri, përfundoi takimi i Këshillit Ministror të OSBE-së Foto: AA/Arhiv

Tiranë

Nën organizimin e Kryesisë Shqiptare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) u mbajt takimi dyditor i Këshillit Ministror të kësaj organizate, që u mbyll me deklaratën e kryesuesit të radhës dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, raporton Anadolu Agency(AA).

Në fjalën e tij në seancën përmbyllëse të takimit, Rama tha se "ky këshill ministror është fundi i lumtur i rolit tonë".

“Këta dy ditë kanë qenë një mundësi e vyer për të ndarë pikëpamjet tona. Patëm 53 ministra që morën pjesë në këtë takim online. Kjo pjesëmarrje dëshmon rëndësinë që ne i kemi dhënë qëllimit dhe të punës së OSBE-së. Jemi organizatë e larmishme, natyrisht kemi pjesën tonë të mosmarrëveshjeve, por kurrë nuk duhet të harrojmë potencialin e ndikimit që mund të sjellim bashkë”, theksoi Rama.

Ashtu si edhe në fjalimin e hapjes së takimit në ditën e parë të punimeve, Rama u ndal përsëri në krizën në Bjellorusi, por edhe zhvillimet rreth konfliktit të fundit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për Malësinë e Karabakut dhe armëpushimit mes dy vendeve.

Në lidhje me situatën në Bjellorusi, ai tha se "u përpoqëm të ndihmonim, por oferta jonë nuk u mor në konsideratë".

“Edhe bashkëkryesueist e grupit të Minskut, Rusia, Franca dhe SHBA, kanë dalë me një deklaratë dje që i bënë thirrje Armenisë dhe Azerbajxhanit të vijojnë bisedimet. Është tashmë koha për të përfituar nga armëpushimi, për të negociuar një paqe të qëndrueshme e që zgjat në kohë nën kujdesin e bashkëkryesueve", theksoi Rama.

Ai shtoi se "në këtë fazë gjithçka ishte kundër nesh, krizë përmbi krizë, por ne nuk hoqëm dorë e nuk lamë asgjë që të na ndalte në punën tonë. Na duhej të provohej gjithçka. Treguam qëndrueshmërinë tonë dhe ambicien tonë."

"Kemi caktuar gjithashtu edhe kryesuesen për 2023, miken dhe fqinjen e ngushtë Maqedoninë e Veriut. Kryesia nuk është detyrë e lehtë kështu që e vlerësoj vërtetë vendosmërinë për ta marrë përsipër dhe për të treguar që vendet e Evropës Juglindore kanë rritur ambiciet ndërkombëtare. A nuk është e shkëlqyer që Ballkani tradicionalisht trazues po angazhohet për të ftohur gjërat në një hapësirë kaq të madhe sa ajo që mbulon OSBE. Është e jashtëzakonshme”, theksoi Rama.

Kryeministri Rama tha se OSBE i ka dhënë Shqipërisë shumë mbështetje gjatë dy dekadave të shkuara për çdo gjë dhe sipas tij "OSBE është një platformë përmes së cilës mund të dëgjohesh".

Këshilli Ministror është organi qendror vendimmarrës dhe qeverisës i OSBE-së. Në takimin vjetor kryediplomatët e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së diskutuan dhe trajtuan gjendjen e sigurisë në zonën euroatlantike dhe atë euroaziatike, si edhe punën e organizatës në fushat e veprimtarisë së saj.

Shqipëria kishte kryesimin e radhës të OSBE-së për vitin 2020 dhe vitin që vjen kryesimin e organizatës do ta marrë Suedia.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın