BALLKANI

Shqipëri, niset grupi i parë i besimtarëve për Haxhin

Nga Shqipëria këtë vit do të udhëtojnë në tokat e shenjta për Haxhin rreth 480 besimtarë

Fatjon Cuka  | 27.06.2022 - Përdıtësım : 29.06.2022
Shqipëri, niset grupi i parë i besimtarëve për Haxhin Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Grupi i parë i besimtarëve muslimanë nga Shqipëria është nisur për në tokat e shenjta për të kryer Haxhin, raporton Anadolu Agency (AA).

Dhjetëra besimtarë nga qytete të ndryshme të vendit janë përcjellë në Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza" nga familjarët, por edhe nga besimtarë të shumtë.

Në grupin e parë kanë udhëtuar rreth 160 besimtarë, të cilët fillimisht do të ndalojnë në Xhide të Arabisë Saudite, ndërsa grupet e tjera do të nisen në ditët në vazhdim.

Në mesin e besimtarëve nga Shqipëria që është nisur për të kryer Haxhin është edhe Adrian Murgu, i cili për AA shprehet se është e dyta herë që po shkon në Haxh.

"Haxhi për mua ka emocione që nuk përshkruhen me fjalë, është një ndjesi e brendshme që vetëm ai që e përjeton atje mundet ta ndjejë. Emocionet e këtij udhëtimi janë sikur herën e parë dhe kam një ndjesi të jashtëzakonshme. Lus Allahun që t'ia mundësojë çdo muslimani të sinqertë që të kryejë Haxhin dhe ta përjetojë këtë ndjesi", u shpreh Murgu.

Në mesin e besimtarëve që udhëtuan për Haxh ishte edhe Semiha Vokshi, e cila tregoi se ajo po shkon për herë të parë për të kryer Haxhin.

"Është shumë emocionuese. Me ndjesinë që kam shpresoj (të shkoj) përsëri. Besoj që edhe atje do të kaloj shumë mirë. Uroj që të gjithë ata që po shkojnë sot dhe ata që kanë qenë, Zoti t'u plotësojë të gjithë dëshirat dhe lutjet e tyre", u shpreh ajo.

Nga Shqipëria këtë vit do të udhëtojnë në tokat e shenjta për Haxhin rreth 480 besimtarë, ndërsa bashkë me ta në disa grupe do të udhëtojnë edhe rreth 100 besimtarë nga Mali i Zi.

Çmimi në total për kryerjen e Haxhit për besimtarët nga Shqipëria për vitin 2022 është 4.900 euro.

Këtë vit do të mund të kryejnë Haxhin besimtarët të cilët përmbushin disa kushte, si mosha maksimale e lejuar është 65-vjeç, duhet të jenë të vaksinuar me dy doza kundër koronavirusit COVID-19 dhe duhet të kenë test PCR negativ të bërë brenda 72 orëve para hyrjes në Arabinë Saudite.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın