BALLKANI

Shqipëri, mbahet ceremonia e diplomimit të studentëve të universitetit të Fondacionit Turk Maarif

Në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve të Shqipërisë, drejtues të universitetit, pedagogë, studentë dhe prindër

Fatjon Cuka  | 01.07.2022 - Përdıtësım : 01.07.2022
Shqipëri, mbahet ceremonia e diplomimit të studentëve të universitetit të Fondacionit Turk Maarif Foto: Olsi Shehu - AA

Tiranë

Në Shqipëri është organizuar ceremonia e diplomimit të studentëve të universitetit të Fondacionit Turk Maarif, Universitetit New York në Tiranë (UNYT), për vitin akademik 2021-2022, në gjitha ciklet e studimeve, si dhe e shënimit të 20-vjetorit të krijimit të UNYT, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë ishin të pranishëm ambasadori i Türkiyes në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, ish-ministrja turke e Familjes dhe Politikave Sociale dhe anëtarja e Bordit të Administrimit të Fondacionit Turk Maarif, Ayşen Gürcan, nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Ermonela Valikaj Felaj, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Albana Tole, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, drejtues të universitetit, pedagogë, studentë dhe prindër.

Ambasadori Atay në fjalën e tij theksoi se është dimension njerëzor që e bën marrëdhënien turko-shqiptare të veçantë dhe unike.

"Dëshiroj të falënderoj fondacionin Maarif dhe administratën e shkollave New York që kontribuojnë në marrëdhëniet vëllazërore midis Turqisë dhe Shqipërisë, duke ofruar një platformë arsimore konkurruese që mundëson që lidhja sociale midis vendeve tona të lulëzojë më tej", tha ambasadori turk.

Ambasadori Atay theksoi më tej se interesi në rritje prej popullit shqiptar për arsimimin në institucionet turke i mundëson familjes Maarif të bëjë më të mirën për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë dhe shtoi se "ne jemi krenarë për ndërtimin e një të ardhmeje të re për vëllezërit dhe motrat tona shqiptare".

Kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Birol Akgün, me anë të një video-mesazhi tha se mendon se UNYT kontribuon shumë në marrëdhëniet e shkëlqyera midis Turqisë dhe Shqipërisë.

Akgün tha se si fondacion janë të lumtur të ndajnë se kanë më shumë se 50.000 studentë në dhjetëra vende të botës

"Ne na pëlqen të zgjerojmë vizionin tonë, për ta bërë UNYT një bazë rajonale të arsimit në Ballkan. Ne po punojmë fort për bashkëpunimin mes akademikëve turq dhe shqiptarë. Gjatë pandemisë ne gjithashtu zgjeruam kapacitetin tonë fizik ", tha Akgün.

Ish-ministrja Gürcan tha se kanë si objektiv kryesor të zhvillojnë më tej standardet akademike, të përmirësojnë cilësinë e një modeli arsimor të ndërtuar mbi vlerat njerëzore.

Duke sjellë edhe përshëndetjet e presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, Gürcan tha se "Shqipëria ka një vend shumë të veçantë për Presidentin tonë. Kjo është edhe për ne e njëjta gjë. Ndër shkollat e shumta të Fondacionit tonë që operojnë në të gjithë botën, institucioni ynë i vetëm i arsimit të lartë ndodhet në Shqipëri. Ne besojmë se universiteti ynë, i cili vepron si një urë jetike midis institucioneve të arsimit të lartë turk dhe komunitetit akademik shqiptar, ka një funksion thelbësor në të ardhmen e dy vendeve".

Gürcan theksoi se në Shqipëri, një vend mik dhe vëlla, me të cilin kanë lidhje të forta historike dhe kulturore, vazhdojnë të punojmë me të gjitha nivelet e arsimit, nga kopshti deri te universiteti.

Nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Felaj, tha se përfaqësuesit e Fondacionit Maarif i përshëndet në emër të Kuvendit të Shqipërisë, në emër të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, sipas saj "pikërisht për të gjithë shërbimin që ata ofrojnë në fushën e arsimit të lartë, emrin e mirë të krijuar ndër vite. "

"Ne sot celebrojmë dy ngjarje, 20-vjetorin e universitetit të New York-ut, i pari universitet privat në Shqipëri, por edhe diplomimin e studentëve të këtij universiteti. Universiteti i Neë York-ut gëzon një emër të mirë falë punës së përkushtuar të administratorëve dhe gjithë stafit pedagogjik ndër vite", tha Felaj.

Zv.ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Albana Tole tha se ministria që ajo përfaqëson, përgëzon universitetin për arritjet e deritanishme dhe shtoi se “ky është një moment shumë i rëndësishëm për të celebruar arritjet e institucionet tuaj të arsimit të lartë”.

"Ministria e Arsimit dhe Sportit nëpërmjet strategjisë kombëtare për arsimin 2021-2026 do të ketë në fokus arsimin e lartë duke synuar një sistem gjithëpërfshirës që plotëson standartet ndërkombëtare të cilësisë, integritetit akademik dhe transparencës. Universitet kanë një rol shumë të rëndësishëm në shoqëri duke kontribuar jo vetëm në zhvillimin e kërkimit shkencor, por dhe në shpërndarjen e dijes pro dhe përgatitjen e brezit të ri për të qenë konkurrues në tregun e punës", theksoi ajo.

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Ristani, tha se lajmi i mirë është se studentët i kanë të gjitha aftësitë për ta rregulluar shoqërinë. Ristani, duke iu drejtuar studentëve tha se "Qasja juaj në teknologji, aftësitë tuaja, por kryesisht arsimi cilësor që merrni nga ky universitet vërtet i mirë dhe liberal janë një mjet i dobishëm për të ardhmen. Ju mund të jeni çfarëdo që dëshironi në jetën tuaj dhe kjo është bukuria e botës sot dhe kjo është bukuria e aftësive tuaja.

Një fjalë përshëndetëse mbajtën edhe drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar dhe rektori i UNYT, Erkan Erdemir.

UNYT ofron programe studimi të njohura gjerësisht në Evropë, SHBA dhe Kanada dhe është i ndarë në 3 fakultete kryesore: Fakulteti i Juridikut dhe Shkencave Sociale, Fakulteti i Ekonomisë dhe Biznesit si dhe Fakulteti i Inxhinierisë dhe Arkitekturës. Studentë prej 22 shteteve studiojnë në UNYT.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın