BALLKANI

Shqipëri, konferencë rajonale për çështjet e drejtësisë

Në fokus të konferencës rajonale të nivelit të lartë ishin reformat e ndërmarra për forcimin e shtetit të së drejtës si dhe sfidat e përbashkëta për vendet e rajonit rreth çështjeve të sistemit të drejtësisë

Saimir Alija  | 04.10.2019 - Përdıtësım : 05.10.2019
Shqipëri, konferencë rajonale për çështjet e drejtësisë ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Konferenca rajonale me temë "Gjithçka mbi drejtësinë", ka mbledhur në Tiranë zyrtarë të lartë nga Ministritë e Drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fokus të konferencës rajonale të nivelit të lartë ishin reformat e ndërmarra për forcimin e shtetit të së drejtës si dhe sfidat e përbashkëta për vendet e rajonit rreth çështjeve të sistemit të drejtësisë.

Në fjalën e tij në konferencë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u ndal në procesin e reformës në institucionet e drejtësisë.

"Korrupsioni për 30 vite është rritur dhe gjendet tek politikanët, autoritetet publike, por më besoni kur ju them që nuk ka të krahasuar me qarkun e të paprekshmëve që u zhbë një herë e mirë të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha Rama.

Sipas tij, Shqipëria po kërkon të vazhdojë një rrugëtim që do të kërkojë shumë kohë. "Hapi tjetër do të jetë që do të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale, dhe ky fakt në këtë moment tregon sukses dhe jo dështim”, u shpreh Rama.

Ndërsa ministrja e Drejtësisë e Shqipërisë, Etilda Gjonaj, në fjalën e saj tha se vendet e rajonit ndodhen sot përpara objektivave të rëndësishme për forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

"Ne jemi vende që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Forcimi i shtetit të së drejtës qëndron në themel të demokracisë evropiane dhe kjo mbetet sfida kyçe e vendeve tona, sfidë e rajonit tonë në përpjekjet për t’ju bashkuar familjes së madhe të bashkësisë evropiane", u shpreh Gjonaj.

Punimet e konferencës i përshëndeti edhe sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Majlinda Bregu, e cila tha se ky takim zhvillohet jo pa qëllim në Tiranë dhe sipas saj po me të njëjtin qellim ministeriali i radhës i drejtësisë do të jetë muajin e ardhshëm në Shkup.

"Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende që presin vendimin e mesit të tetorit për çeljen e negociatave si domosdoshmëri për ruajtjen e reformave të nisura dhe për të hedhur hapin e radhës në procesin e integrimit evropian", tha Bregu.

Në konferencë ishin të pranishëm zyrtarë nga Ministritë e Drejtësisë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa kishte si qëllim edhe diskutimet për procesin e reformave në fushën e drejtësisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe rezultatet e arritura për këtë proces.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın