BALLKANI

Shqipëri, regjistrohet procedim penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes për shpërthimin në Gërdec

Nga shpërdhimi i 15 marsit të vitit 2008 në një fabrikë të demontimit të armëve dhe municioneve në fshatin Gërdec të Qarkut të Tiranës humbën jetën 26 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjera, ndërsa u dëmtuan dhe shumë banesa dhe objekte të tjera

Fatjon Cuka   | 28.10.2021
Shqipëri, regjistrohet procedim penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes për shpërthimin në Gërdec

Tiranë

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK), ka rifilluar hetimet duke regjistruar procedimin penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu, për shpërthimin e vitit 2008 që shkaktoi dhjetëra viktima dhe të plagosur dhe që njihet si "Çështja e Gërdecit", transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit të prokurorisë, ky institucion pasi ka tërhequr nga Gjykata e Lartë aktet e dosjes penale në lidhje me këtë çështja ka regjistruar procedim penal për veprat penale "Shpërdorim i detyrës", e kryer në bashkëpunim, si dhe "Shpërdorim i detyrës" në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, në ngarkim të Mediut.

Kujtojmë se nga shpërdhimi i 15 marsit të vitit 2008 në një fabrikë të demontimit të armëve dhe municioneve në fshatin Gërdec të Qarkut të Tiranës humbën jetën 26 persona dhe u plagën dhjetëra të tjera, ndërsa u dëmtuan dhe shumë banesa dhe objekte të tjera.

Në lidhje me ngjarjen, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë regjistroi në vitin 2008 procedimin penal dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj Mediut në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë, përfshirë edhe zyrtarë.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në shtator 2009 vendosi pushimin e çështjes penale ndaj ish-ministrit Mediu, me arsyetimin e imunitetit parlamentar.

Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje, u dënuan disa vite më parë disa zyrtarë shqiptarë dhe persona të tjerë përgjegjës të fabrikës ku ndodhi shpërthimi.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, ndjekja penale për çështjen ndaj Fatmir Mediut nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë. Çështja u rihap përsëri pas kërkesës së prindërve të njërit prej viktimave të mitur nga shpërthimi, që kërkuan ndjekjen penale të ish-ministrit Fatmir Mediu.

Fatmir Mediu ka mbajtur postin e ministrit të Mbrojtjes në Shqipëri në vitet 2005-2008, në qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha, ndërsa aktualisht është deputet dhe kryetar i partisë opozitare, Partisë Republikane të Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.