Ekonomi, BALLKANI

Shqipëri, prezantohen prioritetet e buxhetit të vitit 2022

Ministrja Ibrahimaj theksoi se buxheti i vitit 2022 ka si objektiv primar konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike, sipas saj, pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19)

Fatjon Cuka   | 26.10.2021
Shqipëri, prezantohen prioritetet e buxhetit të vitit 2022 Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë janë prezantuar prioritetet e buxhetit të shtetit të vitit 2022, nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja Ibrahimaj theksoi se buxheti i vitit 2022 ka si objektiv primar konsolidimin e rimëkëmbjes ekonomike, sipas saj, pas tërmetit të nëntorit të vitit 2019 dhe pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

"Nëpërmjet këtij buxheti do të vijojmë të kryejmë reforma strukturore të nisura të cilat do të shërbejnë si stimul fiskal për të nxitur një rritje ekonomike në vijim në çdo sektor, duke sjellë rritjen e punësimit, duke sjellë rritje të produktivitet në mbështetje të bizneseve dhe mbështetje të shtresave në nevojë", tha Ibrahimaj.

Ajo shtoi se do të dyfishohet ndihma ekonomike për të gjitha familjet që janë me më shumë se tre fëmijë dhe të rinjtë do të jenë në fokus, sipas saj nëpërmjet një programi shumë dimensional i cili do të aplikohet në shkolla.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se synohet edhe krijimi i vendeve të reja të punës.

"Sa i përket mbështetjes së sektorëve prioritarë, me arsimin synojmë të mbajmë të njëjtin nivel konstant në raport me PBB-në (Prodhimi i Brendshëm Bruto) prej 3 për qind. Përveç rritjes së pagave të parashikuara për mësuesit, në këtë sektor do të ketë financime me përparësi, ofrim të teksteve shkollore falas për nxënësit që ndjekin arsimin bazë dhe për nxënësit nga shtresat sociale në nevojë dhe sigurimi i shërbimit të transportit", tha ndër të tjera ajo.

Ndërkohë, në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural prioritet për vitin 2022 do të jenë mbështetja financiare për fermerët, konsolidimi i pronësisë mbi tokën bujqësore dhe zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të peshkimit.

Projektligji për "Buxhetin e vitit 2022", pas shqyrtimit dhe diskutimeve në komisionet parlamentare do të miratohet në seancë plenare nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın