BALLKANI

Shqipëri, nis puna për realizimin e projektit për ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s

Në ceremoninë e nisjes së punimeve, ishte i pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri

Saimir Alija   | 20.01.2022
Shqipëri, nis puna për realizimin e projektit për ndërtimin e bazës ajrore të NATO-s

Tiranë

Ka nisur sot puna për realizimin e projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, e cila do të shndërrohet në një bazë ajrore të NATO-s, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e nisjes së punimeve, ishte i pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama citoi një thënie të gjeneralit amerikan Tod Wolters, i cili në një vlerësim mbi rëndësinë e pozicionit strategjik të Shqipërisë si pikë ndikuese në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, gjatë një dokumentari të NATO-s për bazën e Kuçovës, është shprehur se, “Kur i hedh një sy rajonit të Adriatikut dhe shikon krahun jugor të kontinentit evropian është shumë e rëndësishme të ruhet paqja dhe prosperiteti. Për këtë arsye Shqipëria në Ballkan, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor bëhet një vend me rëndësi kritike”.

Sipas Ramës, vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë që, duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të Aleancës në rajon, konfirmon faktin se Shqipëria, e vogël, është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë aleancë, e cila bashkon së bashku, edhe që besojnë, në disa vlera dhe parime për të cilat ia vlen të luftohet.

“Natyrisht për ne lajmi i kësaj vendimmarrje të NATO-s ishte një lajm shumë i mirëseardhur sepse jo vetëm krijonte një vlerë të re në gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes por në të njëjtën kohë përçonte edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm pozicionin tonë strategjik, në aspektin gjeografik dhe pozitën tonë në NATO në aspektin politik por edhe ushtarak”, tha Rama.

Duke folur për rëndësinë e kësaj baze ajrore, kryeministri Rama u shpreh se kur 3 vjet më parë lajmi u bë publik për shumëkënd ishte i pabesueshëm.

“Gjëra që mund të duken komplet të pabesueshme, siç dukej e pabesueshme fakti që ne do kishim këtu një bazë taktike të NATO-s por që falë miqësive të duhura, partneriteteve të duhura, të ndodhurit në vendin e duhur, si anëtarë të NATO-s, falë pozicionit tonë strategjik dhe falë vullnetit dhe pasionit për t’i dhënë një përmasë tjetër Shqipërisë, duke shfrytëzuar jo vetëm pozicionin gjeografik, si rasti konkret, dhe as pozitën tonë shumë të mirë në NATO por edhe teknologjinë dhe inovacionin, ne mund ta bëjmë realitet edhe këtë që sapo thashë”, theksoi Rama.

Puna e nisur sot në Bazën Ajrore të Kuçovës konsiston në përmirësimin e pistës, infrastrukturën për kontrollin dhe sigurinë e fluturimeve, rrugët lidhëse dhe mjetet e tjera ndihmuese.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın