BALLKANI

Shqipëri, mbahet konferenca mbi mjedisin dhe klimën në Ballkanin Perëndimor

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, u shpreh gjatë fjalës në aktivitet se ndryshmet klimatike janë disa nga çështjet më komplekse dhe serioze me të cilat përballet e gjithë bota

Fatjon Cuka   | 28.06.2022
Shqipëri, mbahet konferenca mbi mjedisin dhe klimën në Ballkanin Perëndimor Foto: Olsi Shehu - AA

Tiranë

Në Tiranë është mbajtur konferenca me temë "Statusi i mjedisit dhe klimës në Ballkanin Perëndimor", me pjesëmarrjen e zyrtarëve të ndryshëm, studiuesve dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, u shpreh gjatë fjalës në aktivitet se ndryshmet klimatike janë disa nga çështjet më komplekse dhe serioze me të cilat përballet e gjithë bota.

"E ardhmja e iniciativave të mjedisit nuk varet vetëm në mënyrën se çfarë ndikimi do të ketë kjo çështje tek Shqipëria. Në këtë botë që është kaq e ndërlidhur, çfarë ndodh në Shqipëri apo vende të tjera si Shqipëria, do të ndikojnë patjetër, do të influencojnë edhe vende të tjera evropiane. Kjo gjë është kaq e qartë", tha Kumbaro.

Ajo u shpreh se përpiqen që të krijojnë modele të qëndrueshme të zhvillimit dhe kanë vendosur kohët e fundit që të zgjerojnë zonat e mbrojtura.

Kumbaro theksoi se Shqipëria në fakt po përballet me pasojat e ndryshimit të klimës dhe sipas saj Shqipëria përballet të paktën me një fatkeqësi natyrore në vit.

Komisionerja e BE-së për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë, Mariya Gabriel, gjatë fjalës në aktivitet tha se kanë një kuadër për mbrojtjen e tokës, por sipas saj duhen disa veprime më koherente për ta vënë atë në zbatim.

"Ndotja nuk njeh kufi dhe ne nuk mund të arrijmë objektivat për zero ndotje në Bashkimin Evropian pa të gjitha përpjekjet e të gjitha vendeve. Duke patur parasysh të gjithë Ballkanin Perëndimor, por në të njëjtën kohë edhe ndërlidhjen e fortë që ekziston ndërmjet ekosistemeve të ndryshme, në rajon është thelbësore që ne të fuqizojmë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar dhe të përfshijmë gjithë aktorët për përpilim e politikave mjedisore", u shpreh Gabriel.

Gabriel shtoi se është kritike që të ketë një program të duhur monitorimi mjedisor plotësisht në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Aktiviteti u organizua në kuadër të takimit rajonal mbi Kulturën, Kërkimin, Inovacionin dhe Arsimin, nën kujdesin e Komisionit Evropian, Presidencës franceze të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe disa ministrive të Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın