BALLKANI

Shqipëri, aktivizohet Brigada e Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA-së

Brigada e Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA-së (SFAB), do të mbështesë dhe këshillojë Batalionin e Dytë të Këmbësorisë së Forcës Tokësore të Shqipërisë

Fatjon Cuka   | 01.07.2022
Shqipëri, aktivizohet Brigada e Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA-së Foto: Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë/AA

Tiranë

Në Shqipëri është aktivizuar Brigada e Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA-së (SFAB), një ekip që do të mbështesë dhe këshillojë Batalionin e Dytë të Këmbësorisë së Forcës Tokësore të Shqipërisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në prani edhe të ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi dhe ambasadores së SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, u theksua rëndësia e ndërveprueshmërisë mes aleatëve të NATO-s në një terren të ri për sigurinë botërore.

Në fjalën e tij, ministri Peleshi ka vlerësuar “mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që SHBA-ja kanë dhënë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë".

“Ky grup-batalion është objektivi ynë kryesor në NATO dhe jemi duke punuar intensivisht për të bërë të mundur realizimin e të gjitha detyrimeve në këtë kuadër dhe padyshim asistenca e ekipit amerikan është e një rëndësie të veçantë”, është shprehur ministri Peleshi.

Sipas tij, Shqipëria, jo vetëm që do të vijojë të jetë pjesë e trupave në krahun lindor të Aleancës me prezencën në Letoni, por do të shtojë kontributin edhe në Bullgari, në kuadër të grup-batalioneve të reja që do të krijohen në disa prej vendeve anëtare të Aleancës.

Sipas njoftimit, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, në fjalën e saj e vlerësoi aktivizimin e Brigadës së Forcave të Sigurisë dhe të ndihmës së ushtrisë së SHBA-së si një hap të rëndësishëm për të çuar në lartësi të reja marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.

"Bota ka ndryshuar, ka sfida të reja, të cilat duhet të përmbushen. Çdo aleat duhet të jetë i gatshëm, i përgatitur dhe për këtë arsye jemi të kënaqur për forcën e sotme në mënyrë që të jemi të gatshëm, që NATO të jetë e gatshme", ka theksuar Kim.

Ndërkohë, aktivizimi i ekipit të Brigadës së Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA-së në Shqipëri vjen pas aktivizimit në Shqipëri edhe të Shtabit të Përparuar të Forcave Speciale Amerikane në Evropë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın