BALLKANI

Shqipëria shënon përvjetorin e parë të tërmetit shkatërrimtar

Si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit 2019 humbën jetën 51 persona, u plagosën qindra të tjerë dhe u shkatërruan dhe dëmtuan pallate banimi, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, qendra shëndetësore dhe objekte të kultit

Fatjon Cuka   | 26.11.2020
Shqipëria shënon përvjetorin e parë të tërmetit shkatërrimtar Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Shqipëria shënon sot përvjetorin e parë të tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin më 26 nëntor 2019, duke shkaktuar dhjetëra viktima, qindra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Shqipëria shënon përvjetorin e parë të tërmetit shkatërrimtar

Shqipëria shënon sot përvjetorin e parë të tërmetit shkatërrimtar që goditi vendin më 26 nëntor 2019, duke shkaktuar dhjetëra viktima, qindra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale. Një vit pas tërmetit që ishte një nga tragjeditë më të mëdha në dekadat e fundit, institucionet e Shqipërisë dhe donatorët e huaj vazhdojnë projektet e tyre për procesin e rindërtimit, ndërkohë në kujtesën e qytetarëve shqiptarë ende janë të freskëta përjetimet e fatkeqësisë natyrore. ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Një vit pas tërmetit që ishte një nga tragjeditë më të mëdha në dekadat e fundit, institucionet e Shqipërisë dhe donatorët e huaj vazhdojnë projektet e tyre për procesin e rindërtimit, ndërkohë në kujtesën e qytetarëve shqiptarë ende janë të freskëta përjetimet e fatkeqësisë natyrore.

Sipas të dhënave zyrtare që ka përpiluar Anadolu Agency (AA) duke iu referuar dokumenteve që disponon Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit i Shqipërisë (IGJEUM), disa nga tërmetet në periudhën e 100 viteve të fundit shkaktuan viktima dhe dëme të mëdha materiale.

Më 26 nëntor 1920 Tepelena në Qarkun e Gjirokastrës në jug të vendit goditet nga një tërmet i fuqishëm me magitudë 6,4, që shkaktoi vdekjen e 102 personave dhe dëme materiale. Më 18 dhjetor 1920 Elbasani goditet nga tërmeti me magitudë 5,6, ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 300 të tjerë.

Më 30 nëntor 1967 Shqipëria goditet nga një tërmet me magnitudë 6,6, ndërsa zonat më të prekura ishin fshatrat e Librazhdit dhe Dibrës, duke shkaktuar 12 të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe dëme në mijëra ndërtesa.

Tërmeti i 15 prillit 1979 me magnitudë 6,9, është konsideruar si një̈ nga tërmetet më të fortë në Gadishullin e Ballkanit gjatë shekullit XX. Epiqendra e tërmetit ishte në zonën bregdetare të Malit të Zi. Në Shqipëri humbën jetën 35 persona dhe u plagosën 382 të tjerë, si dhe mbetën pa strehë 100 mijë persona. Pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 1979, Shqipëria u godit nga disa tërmete të tjerë në dekadat e fundit.

Pasojat e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019

Shqipëria në orën 03:54 të datës 26 nëntor 2019 do të regjistronte një nga tërmetet më shkatërrimtar në dekadat e fundit, me magnitudë 6,3 ballë sipas shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ishte brenda territorit të Qarkut të Durrësit, 30 kilometra nga Tirana.

Si pasojë e tërmetit të nëntorit u shkatërruan dhe dëmtuan pallate banimi, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, qendra shëndetësore dhe objekte të kultit, ndërkohë gjurmët e shkatërrimet ende janë prezente.

Sipas të dhënave zyrtare që ka përpiluar AA, si pasojë e tërmetit 51 persona humbën jetën, 913 të tjerë u plagosën, mijëra të tjerë u ndikuan në shëndetin e tyre, 202.291 persona u prekën në vend, ku 47.263 në mënyrë direkte dhe 155.029 në mënyrë indirekte dhe 17.000 persona u zhvendosën nga banesat e tyre.

Bashkitë më të prekura ishin Durrës, Shijak, Krujë, Tiranë, Kamëz, Kavajë, Kurbin dhe Lezhë.

Sipas raportit "Vlerësimi i Nevojave pas Katastrofës", i përgatitur bashkërisht nga Qeveria e Shqipërisë, Bashkimi Evropian (BE), Kombet e Bashkuara (OKB) dhe Banka Botërore, efektet totale të katastrofës në dëme dhe humbje në njëmbëdhjetë bashkitë e prekura arrijnë në mbi 985 milionë euro.

Ndihma dhe solidariteti i Turqisë në përballimin e fatkeqësisë natyrore

Menjëherë pas tërmetit institucionet e Turqisë u angazhuan për të ofruar ndihmë për Shqipërinë, me ekipe në operacionet e kërkim-shpëtimit dhe për ofrimin e ndihmave humanitare.

Pjesë e ofrimit të ndihmave dhe mbështetjes nga Turqia ishin disa institucione, si Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD), Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Ekipi Kombëtar Mjekësor i Shpëtimit (UMKE) pranë Ministrisë turke të Shëndetësisë, Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe Ambasada e Turqisë në Tiranë.

Pas tërmetit, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, premtoi ndërtimin nga shteti turk të mbi 500 njësive të banimit dhe u bëri thirrje edhe vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) ta ndihmojnë Shqipërinë.

Ndërkohë, në gusht të vitit 2020 filluan punimet e projektit të financuar nga Turqia në Laç, në Bashkinë e Kurbinit, për ndërtimin e 524 apartamenteve. Projekti në fjalë zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë (TOKI) dhe punimet realizohen nga kompania Albayrak.

Me Shqipërinë gjithashtu u solidarizuan edhe Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Zvicra, Italia, Rumania, Greqia, Franca, SHBA, OKB-ja dhe BE-ja me ekipet e tyre të kërkim-shpëtimit, me ndihma dhe me fondet për procesin e rindërtimit.

Qytetarët kujtojnë momentet e vështira dhe vlerësojnë solidaritetin e Turqisë

Teksa Shqipëria përpiqet të shërojë plagët e tërmetit shkatërrimtar, një vit pas tragjedisë qytetarët ende i kanë të freskëta përjetimet e asaj ditë, si momentet e para të tërmetit, operacionet e kërkim-shpëtimit, solidaritetin e Turqisë, por edhe të vendeve të tjera.

Avdi Stema, një banor i Tiranës, duke i kujtuar për AA momentet e para të tërmetit tregon se, "Mendova se është diçka natyrore dhe natyrës nuk i dilet dot përballë".

Në lidhje me ndihmat dhe mbështetjen e Turqisë, Stema u shpreh se e vlerëson me notën maksimale ndihmën e Turqisë, si vend vëlla dhe mik që është gjendur gjithmonë pranë Shqipërisë.

“Ne kemi një mbështetje reciproke të dy palët, edhe ne shqiptarët i mbështesim ata (turqit). Edhe ne u ndiem keq për tërmetin që ra në Izmir muajin e kaluar, u bëmë njësh me ta, i mbështetëm në mënyrë vëllazërore. Miqësia që kanë presidenti Erdoğan dhe kryeministri ynë Edi Rama reflekton këtë miqësi që kanë popujt tanë ndër shekuj”, tha ai.

Merita Kadiu, është një tjetër banore e cila i ka ende të freskëta në memorien e saj momentet e para të tërmetit. Edhe ajo i vlerëson maksimalisht përpjekjet e Turqisë për të ndihmuar Shqipërinë.

"Turqit gjithmonë kanë qenë humanistë. Të them të drejtën unë i vlerësoj turqit sepse mua më kanë dhënë një jetë të dytë. Unë në vitin 2000 kam pësuar një aksident dhe jam bërë operacion në spital në Ankara. Turqia mbetet humane në të gjitha drejtimet për tek ne”, tha Kadiu.

Bujar Lybesha, një tjetër banor i kryeqytetit shprehet se tërmeti i vitit të kaluar ishte një nga tërmetet më të fortë në Shqipëri në dekadat e fundit. Turqia ka qenë gjithmonë afër Shqipërisë kur ka pasur nevojë, tha ai, duke shtuar se, "Turqia është ndodhur gjithmonë pranë nesh. Mendoj se Turqia nuk kursehet kurrë për Shqipërinë dhe duhet falënderuar për veprimin që bën".

Një tjetër qytetar shqiptar është edhe Riza Abdija, që tërmetin shkatërrimtar të vitit të kaluar e konsideron situatë tepër të vështirë. Në lidhje me ndihmat e shtetit turk ai shprehet: "Ndihmat e Turqisë i vlerësoj si shumë vëllazërore. Populli shqiptar me popullin turk historikisht kanë pasur një miqësi të fortë dhe të hershme. Turqia është gjendur e para në këtë situatë të vështirë që po kalonte vendi ynë dhe ka dhënë kontributin e saj maksimal".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın