BALLKANI

Shqipëri, vazhdon procesi i rindërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti

Kryeminsitri Rama theksoi se pjesë e procesit janë 155 objekte arsimore në 11 bashki dhe sipas tij janë 18,5 miliardë lekë të vendosura në dispozicion (rreth 185 milionë dollarë), duke përfshirë fondet e buxhetit të shtetit dhe të donatorëve

Fatjon Cuka   | 24.11.2020
Shqipëri, vazhdon procesi i rindërtimit të shkollave të dëmtuara nga tërmeti

Tiranë

Në konferencën e përjavshme për mediat, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u fokusua në procesin e rindërtimit të objekteve arsimore që u dëmtuan nga tërmeti i nëntorit të vitit të kaluar, proces që vazhdon në disa qytete të vendit dhe ndërtimit të objekteve të reja, raporton Anadolu Agency (AA).

Rama theksoi se pjesë e këtij procesi janë 155 objekte arsimore në 11 bashki dhe sipas tij janë 18,5 miliardë lekë të vendosura në dispozicion (rreth 185 milionë dollarë), duke përfshirë fondet e buxhetit të shtetit dhe të donatorëve. 

"Kantieret e reja që po hapen janë kantiere që do të financohen nga vendet partnere, duke filluar nga Bashkimi Evropian që do të financojë ndërtimin e 62 shkollave, Qeveria gjermane 3 shkolla, Qeveria e Sllovakisë 4 shkolla, Qeveria e Sllovenisë 1 shkollë, Qeveria e Katarit 3 shkolla, dhe plus këtyre janë dhe 23 objekte të tjera të reja për financim. Në proces kemi faktikisht ose të përfunduara, në përfundim e sipër ose drejt përfundimit objektet e financuara nga buxheti i shtetit", tha kryeministri Rama.

Në Tiranë janë 37 objekte arsimore, nga të cilat janë 30 shkolla të reja krejtësisht nga e para dhe 7 shkolla për rindërtim të pjesshëm. Ndërkohë pjesa tjetër janë në qytete e tjera të vendit që përfshijnë shkollat e rikonstruktura dhe që ndërtohen nga fillimi.

Në Shqipëri përveç objekteve arsimore vazhdon procesi i ndërtimit të banesave për familjet që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 në disa bashki, duke përfshirë edhe projektin e financuar nga Turqia që po zbatohet në Njësinë Administrative Laç, në Bashkinë e Kurbinit, për ndërtimin e 524 apartamenteve.

Kujtojmë se nga tërmeti shkatërrimtar i nëntorit të vitit të kaluar humbën jetën 51 persona, 913 të tjerë u plagosën dhe 17.000 persona u zhvendosën nga banesat e tyre. 

"Bëjmë përpjekje çdo ditë që të garantojmë që të kemi vaksinën në dispozicion"

Rama foli edhe në lidhje me përpjekjet për vaksinën kundër koronavirusit të ri (COVID-19). "Për sa i përket vaksinës nuk jemi në fazën kur mund të zgjedhim të lirë apo të shtrenjtë. Jemi në fazën ku po bëjmë përpjekje çdo ditë që në radhë të parë të garantojmë që të kemi vaksinën në dispozicion duke filluar nga vaksinimi i mjekëve, infermierëve, bluzave të bardha, pastaj mësuesit, punonjësit e policisë dhe pastaj të gjithë me radhë", tha Rama.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, në konferencë me kryeministrin Rama tha se raporti i fundit i muajt shtator i Bankës Botërore e vlerëson Shqipërinë si një ndër dhjetë vendet me përmirësimin më të madh në arsim dhe shëndetësi, sipas saj në vlerësimin që është bërë midis 174 vendeve nga e gjitha bota.

Kushi theksoi se në buxhetin e vitit 2021 për sektorin e arsimit i përmbahen të gjitha objektivave që kanë vendosur.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın