BALLKANI

Shqipëri, shënohet më disa ceremoni Dita e Flamurit dhe Pavarësisë

Siç është traditë, në qytetin e Vlorës është organizuar ceremonia solemne e ngritjes së flamurit, ndërkohë ceremonia simbolike e ngritjes së flamurit është organizuar edhe në Tiranë

Fatjon Cuka   | 28.11.2020
Shqipëri, shënohet më disa ceremoni Dita e Flamurit dhe Pavarësisë ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Me rastin e 108-vjetorit vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë që festohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë, në vend janë organizuar ceremoni me pjesëmarrjen e kufizuar të zyrtarëve dhe qytetarëve për shkak të pandemisë COVID-19, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç është traditë, në qytetin e Vlorës është organizuar ceremonia solemne e ngritjes së flamurit, me pjesëmarrjen e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama, kryeparlamentarit Gramoz Ruçi dhe zyrtarëve të tjerë.

Pas ceremonisë në Vlorë, kryeministri Rama në një prononcim për mediat tha: "Dëshiroj t’ju uroj të gjithë shqiptarëve kudo që janë këtë ditë të bekuar të flamurit tonë kombëtar, të pavarësisë së Shqipërisë. Njëkohësisht në këtë ditë që është edhe dita e lindjes së komandantit legjendar të luftës çlirimtare të Kosovës, dëshiroj t’ju uroj festën e pavarësisë dhe ditën e flamurit presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij që sot nuk gjenden në shtëpi.”

Me rastin e 28 Nëntorit, zyrtarë të lartë të vendit kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit për qytetarët shqiptarë, ndërkohë disa ceremoni dhe aktivitete tradicionale janë anuluar për shkak të pandemisë.

Presidenti Meta në mesazhin e tij publikuar në rrjetet sociale ndër të tjera shkruan: "108 vite janë mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern, për përmbushjen pa vonesë të aspiratës popullore dhe misionit të nisur në 28 nëntor 1912, nga Ismail Bej Vlora dhe gjithë etërit e Pavarësisë, për ta bërë Shqipërinë si gjithë Evropa".

Ceremonia simbolike e ngritjes së flamurit është organizuar edhe në Tiranë me pjesëmarrjen kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili mbajti edhe një fjalë përshëndetëse.

Veliaj tha se “kur shqiptarët bëhen bashkë dhe punojnë, ringrihen më të fuqishëm”. “Besoj se ata që realisht e duan këtë vend, që e duan Shqipërinë, do t’ia dalin ta drejtojnë atë drejt transformimeve të mëdha, falë punës, mirësisë dhe përkushtimit, sepse në fund të ditës, ua kemi borxh atyre që themeluan këtë shtet, këtë qytet dhe gjeneratës së re, që nuk besoj se do të na e falin kurrë nëse nuk do të mund të bënim atë sakrificë që baballarët e këtij kombi bën për këtë vend”, theksoi kryebashkiaku i Tiranës.

Ndërkohë, qytetarët në ballkonet e shtëpive të tyre në Tiranë, por dhe në qytetet e tjera të vendit kanë vendosur flamurin kombëtar, duke i “veshur” qytetet me ngjyrat kuq e zi.

Shqipëria shënon sot 108-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë dhe festa zyrtare e 28 Nëntorit kremtohet si Dita e Flamurit dhe Pavarësisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın