BALLKANI, Koronavirusi

Shqipëri, rritet në 6 numri i të vdekurve nga koronavirusi

Në njoftimin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thuhet se ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv në Tiranë pacientja 71-vjeçare

Fatjon Cuka   | 26.03.2020
Shqipëri, rritet në 6 numri i të vdekurve nga koronavirusi

Tiranë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se në Shqipëri ka ndërruar jetë edhe një tjetër pacient i konfirmuar me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 6, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin zyrtar të ministrisë thuhet se ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv në Tiranë pacientja e moshuar që vuante nga hipertensioni 

"Gjatë mbrëmjes ndërroi jetë një paciente 71-vjeçare nga Tirana, e konfirmuar me COVID-19, e shtruar në Spitalin Infektiv në terapi intensive, në frymëmarrje të drejtuar (respirator). 71-vjeçarja është viktima e gjashtë e prekur nga COVID-19 në Shqipëri", thuhet në njoftim.

Ndërkohë numri i rasteve të konfirmuar me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është 146, përfshirë edhe personat që kanë ndërruar jetë, ndërsa 17 prej tyre janë shëruar.

Kujtojmë se Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin për shkak të koronavirisut, ku sipas Kushtetutës së Shqipërisë mund të vendosen masa të jashtëzakonshme.

Institucionet në Shqipëri aktualisht kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, pezullimi i aktiviteteve futbollistike dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın