BALLKANI, Koronavirusi

Shqipëri, rritet në 174 numri i rasteve me COVID-19

"Janë testuar 1144 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 174 qytetarë. Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Tropojë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, Elbasan"

Fatjon Cuka   | 26.03.2020
Shqipëri, rritet në 174 numri i rasteve me COVID-19

Tiranë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se me konfirmimin e 28 rasteve të reja, numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) në Shqipëri është rritur në 174, përfshirë edhe 6 personat që kanë ndërruar jetë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas njoftimit zyrtar të ministrisë, në 24 orët e fundit janë konfirmuar 28 raste të reja me COVID-19 dhe janë kryer 103 testime.

"Deri në këto momente janë testuar 1144 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 174 qytetarë. Harta e të prekurve nga COVID-19 është shtrirë tashmë edhe në Tropojë dhe zgjerohet në Tiranë, Korçë, Fier, Durrës, Lezhë, Elbasan, përveç rasteve të zbuluar për të cilat po kryhet hetimi epidemiologjik. Nga të prekurit, rezultojnë 4 raste pozitive të moshës pediatrike", theksohet në njoftim.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, sipas ministrisë është 102 në Tiranë, 18 në Fier, 11 në Korçë, 10 në Durrës, nga 5 në Elbasan dhe Vlorë, nga 4 në Lushnje, Kavajë dhe Lezhë, 3 në Shkodër, nga 2 në Rrogozhinë, Has dhe Tropojë dhe nga 1 rast në Berat dhe Krujë, ndërsa prej tyre 17 janë shëruar.

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë ka vendosur shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin për shkak të koronavirisut të ri (COVID-19), ku sipas Kushtetutës së Shqipërisë mund të vendosen masa të jashtëzakonshme.

Institucionet në Shqipëri aktualisht kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, pezullimi i aktiviteteve futbollistike dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın