BALLKANI

Shqipëri, prezantohet raporti për problematikat e të rinjve

Raporti “Rinia në Shqipëri 2019” është raporti i dytë kombëtar që identifikon problematikat e të rinjve si dhe adreson edhe zgjidhjet që duhet të ofrojnë institucione të ndryshme

Saimir Alija   | 06.11.2019
Shqipëri, prezantohet raporti për problematikat e të rinjve ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Një grupim i organizatave të shoqërisë civile prezantoi raportin kombëtar me temë “Rinia në Shqipëri 2019”, i cili adreson disa problematika që përballen të rinjtë, raporton Anadolu Agency (AA). 

Qendra Kombëtare Burimore për të Rinjtë në Shqipëri në bashkëpunim me organizata të tjera që kanë në fokus mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të të rinjve kanë prezantuar raportin gjatë një aktiviteti të organizuar në Tiranë.

Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Klaudio Pulaha, në një deklaratë për mediat tha se raporti “Rinia në Shqipëri 2019” është raporti i dytë kombëtar që identifikon problematikat e të rinjve si dhe sipas tij adreson edhe zgjidhjet që duhet të ofrojnë institucione të ndryshme dhe vetë të rinjtë dhe organizatat rinore.

“Papunësia është problematika më kryesore e të rinjve e përzgjedhur nga ata vetë, por dhe duke ju referuar edhe të dhënave të instancave dhe studimeve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) në vitin 2018 kemi pasur papunësi 21.3 për qind. Nëse i referohemi 6 mujorit të parë të vitit 2019 rezulton se papunësia sipas INSTAT është ulur në vlerën 20.3 për qind. Nëse do t’i referohemi një studimi që është bërë nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) rezulton që papunësia e të rinjve në Shqipëri ka qenë 32 për qind dhe kjo do të thotë që kemi të bëjmë me një kontradiktë”, tha Pulaha.

Pulaha theksoi se një problematikë tjetër shumë alarmante që adreson raporti është ikja e studentëve që shkojnë të studiojnë jashtë vendit. “Shqipëria mban vendin e parë në Evropë sa i përket ikjes së studentëve për të studiuar jashtë vendit. Kemi të bëjmë me 30 për qind e studentëve që duan të largohen nga vendi për të studiuar jashtë Shqipërisë”, tha ai.

“Problemi tjetër për të rinjtë që adreson raporti është ekstremizmi i dhunshëm. Në qoftë se i referohemi studimeve ndërkombëtare që raporti ka marrë në konsideratë kemi 144 persona të cilët kanë lënë vendin dhe kanë shkuar në Irak dhe Siri për të luftuar. Janë kushtet socio-ekonomike që ndikojnë në përfshirjen e të rinjve shqiptarë në ekstremizmin e dhunshëm”, deklaroi Pulaha.

Raporti është përgatitur nëpërmjet një procesi të gjerë konsultimesh në të 12 qarqet e Shqipërisë, me pjesëmarrjen e mbi 1000 të rinjve dhe rreth 100 organizatave dhe grupimeve rinore. Raporti paraqet gjendjen e të rinjve në Shqipëri dhe problemet me të cilat përballen të rinjtë në vend.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın