BALLKANI

Shqipëri, Aleanca e Grave Deputete takim për problematikat

Aleanca e Grave Deputete, është një grupim i grave deputete pranë Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ka si qëllim inicimin e nismave që kanë në fokus fuqizimin e rolit të grave në politikë

Saimir Alija   | 15.05.2019
Shqipëri, Aleanca e Grave Deputete takim për problematikat  ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë u zhvillua sot takimi i Aleancës së Grave Deputete (AGD), me fokus diskutimet mbi problematikat, punën e deritanishme si dhe miratimi i kalendarit të aktiviteteve të aleancës për të ardhmen, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e saj, përfaqësuesja e Aleancës së Grave Deputete në Kuvendin e Shqipërisë, deputetja Elona Gjebrea Hoxha duke folur për aktivitetet e organizuar gjatë vitit të kaluar tha se AGD ka pasur një mbështetje nga Nënkomisioni Parlamentar mbi Barazinë Gjinore dhe Parandalimi i Dhunës ndaj Grave.

“Promovimi i arritjeve të objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të Axhendës 2030 është një nga pikat e bashkëpunimit dypalësh. Një vit më parë Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar një rezolutë mbi objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, duke u zotuar për përmbushjen e premtimit për të mos lënë asnjë pas sa i përket grupeve në nevojë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, në muajin dhjetor të vitit 2018 është zhvilluar një takim kombëtar koordinues midis Aleancës së Grave Deputete dhe Aleancës së Grave Këshilltare Bashkiake, që kishte në fokus sfidat e pjesëmarrës së grave në politikë.

Duke folur për propozimet e Aleancës së Grave Deputete për pjesëmarrjen e grave në zgjedhjet lokale si dhe respektimin e kuotave gjinore, Gjebrea tha: “Lista e kandidatëve për Këshillat Bashkiake të pushteti vendor duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor, e drejta e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të refuzuar listën e kandidatëve të sjellë nga subjektet zgjedhore nëse nuk respektojnë kuotat gjinore për të dhënë shanse të barabarta. Nevoja e demokratizimit të brendshëm të partive politike duhet të mundësojë konkurrim të barabartë të kandidatëve”, deklaroi Gjebrea Hoxha.

Duke folur për aktivitetet që do të zhvillohen në të ardhmen, ajo nënvizoi se së shpejti do të zhvillohet një takim me Aleancën e Grave Këshilltare Bashkiake për të sjellë problematikat që kanë gratë në qarqet e ndryshme të vendit dhe se si për t’u angazhuar për të zgjidhur problemet e tyre.

Në përfundim të fjalës së saj, përfaqësuesja e AGD-së u shpreh se është e rëndësishme të ketë një ndërthurje të propozimeve të nismave ligjore dhe të organizimit të tryezave të ndryshme. “Sillet vazhdimisht në vëmendje roli që duhet të ketë Parlamenti kundrejt grave rurale dhe grave të cilat punojnë në fasoneri, shëndetin dhe lufta kundër dhunës ndaj grave’, përfundoi Gjebrea.

Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa diskutimet u fokusuan në problematikat e ndryshme për rritjen e rolit të grave në proceset vendimmarrëse.

Aleanca e Grave Deputete, është një grupim i grave deputete pranë Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa ka si qëllim inicimin e nismave që kanë në fokus fuqizimin e rolit të grave në politikë.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın