BALLKANI, Koronavirusi

Shqipëri, 6 viktima dhe 275 raste të reja me COVID-19

Në 24 orët e fundit janë shëruar 114 qytetarë, duke e rritur në 11.007 numrin e të shëruarve në vend dhe raste aktive aktualisht janë 8.809

Saimir Alija   | 29.10.2020
Shqipëri, 6 viktima dhe 275 raste të reja me COVID-19

Tiranë

Në Shqipëri janë regjistruar 275 raste të reja pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe 6 persona kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Që nga fillimi i pandemisë, numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend është rritur në 20.315 dhe numri i të vdekurve në 499, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 114 qytetarë, duke e rritur në 11.007 numrin e të shëruarve në vend dhe raste aktive aktualisht janë 8.809

Sipas ministrisë, aktualisht në spitalet në Tiranë po trajtohen 291 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19.

Institucionet shëndetësore në Shqipëri kanë kryer gjithsej 122.426 testime për personat e dyshuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë.

Propozohet mësimi online në universitetet në Shqipëri

Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, në një deklaratë publikuar në rrjetet sociale, bëri të ditur se është propozuar që universitetet të zhvillojnë mësimin online dhe sipas saj, po vlerësohet edhe mbyllja pas orës 22:00 e lokaleve në një nga zonat e frekuentuara të Tiranës.

“Kemi vendosur unanimisht të propozojmë që universitetet të zhvillojnë vetëm mësim online, pra mësim vetëm në distancë, pa prezencë fizike të paktën për muajin e parë të hapjes, duke vlerësuar situatën në dinamikë”, tha Rakacolli.

Kujtojmë se viti i ri akademik 2020-2021 është caktuar të fillojë më 2 nëntor në të gjitha universitetet e vendit.


Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın