BALLKANI

Shkup, punëtori për përpilim të Strategjisë Kombëtare për luftë kundër korrupsionit

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit filloi përgatitjet për përpilimin e Strategjisë Kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave për periudhën 2020-2024

Abdula Berisha   | 08.10.2019
Shkup, punëtori për përpilim të Strategjisë Kombëtare për luftë kundër korrupsionit

Shkup

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në Republikën e Maqedonisë së Veriut organizon punëtori treditore për përpilimin e Strategjisë Kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave për periudhën 2020-2024, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e punëtorisë, të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, delegacion qeveritar i kryesuar nga zv/kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, përfaqësues të KSHPK-së dhe akademikë.

Duke uruar për punë të mbarë dhe rezultate konkrete nga punëtoria, kryeparlamentari Xhaferi në fjalimin e tij tha se korrupsioni është kancer i funksionimit të një shteti.

"Jam i kënaqur me ligjin e ri për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktit të interesave sepse qëllimi kryesor i tij është përforcimi i rolit dhe pavarësisë së Komisionit Shtetëror dhe në përgjithësi përforcimi i kornizës ligjore dhe institucionale të antikorrupsionit dhe arritja e parandalimit më efikas dhe luftës kundër korrupsionit", tha Xhaferi.

Në deklaratë për mediat, zv/kryeministri Bujar Osmani tha se dominimi i temës së luftimit të korrupsionit në diskursin publik dhe politik jep rezultatet e veta, duke shtuar se kjo punëtori po ndodh në kohën e duhur.

"Është veçanërisht e rëndësishme për shkak se ndodh në disa ditë para vendimit historik të Bashkimit Evropian. Atje parim fundamental është lufta kundër korrupsionit dhe shteti ligjor dhe unë mendoj që asnjë politikan, por jo vetëm politikanët, por të gjithë faktorët e shoqërisë nuk duhet të kenë prioritet më të madh se etablimin e shtetit ligjor", tha Osmani.

Kryetarja e KSHPK-së, Biljana Ivanovska, tha se institucioni të cilin e udhëheq ajo nuk duhet të ngelet i vetmuar në luftën kundër korrupsionit, duke shtuar se në këtë aspekt, përgjegjësi kanë të gjithë qytetarët.

"Secili duhet t'ia fillojë nga vetvetja. Lufta është në vetë personalitetin. Të përforcohet vetëdija te njerëzit, e thash edhe më herët se askush askujt nuk i ka borxh, por të përforcohet edhe ndëgjegjia tek personat përgjegjës se askush për asgjë nuk u ka borxh", tha Ivanovska.

Mënyrën e përpilimit të Strategjisë Kombëtare për parandalimin e korrupsionit e përshëndeti edhe ministri pa resor përgjegjës për llogaridhënie dhe transparencë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Robert Popovski, i cili tha se kjo po bëhet përmes një debati gjithpërfshirës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.