BALLKANI

Shkup, projekt për lehtësimin e pasojave të pandemisë COVID-19 mbi qytetarët

Qëllimi i projektit është të kontribuojë në luftën kundër përhapjes së virusit COVID-19, si dhe të lehtësojë pasojat e pandemisë mbi qytetarët, përmes asgjësimit të duhur të mbeturinave nga pajisjet mbrojtëse, të tilla si maskat ​​dhe dorezat

Admir Fazlagikj  | 12.08.2020 - Përdıtësım : 13.08.2020
Shkup, projekt për lehtësimin e pasojave të pandemisë COVID-19 mbi qytetarët

Shkup

Ndërmarrja publike Higjiena Komunale-Shkup ka nënshkruar Memorandumin për bashkëpunimin me Qendrën për Demokraci Ekologjike "Fllorazon" për zbatim të përbashkët të projektit "Bëhu përgjegjës për veten dhe mjedisin tonë edhe në kushte të pandemisë", të mbështetur nga Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, transmeton Anadolu Agency (AA).

Qëllimi i projektit është të kontribuojë në luftën kundër përhapjes së virusit COVID-19, si dhe të lehtësojë pasojat e pandemisë mbi qytetarët, përmes asgjësimit të duhur të mbeturinave nga pajisjet mbrojtëse, të tilla si maskat ​​dhe dorezat. Në kuadër të projektit, në 30 lokacione përpara tregjeve më të mëdha në qytetin e Shkupit do të vendosen kontejnerë specialë për deponimin e mbeturinave nga pajisjet mbrojtëse, të cilat do të transportohen nga ekipet e ndërmarrjes komunale Higjena Komunale-Shkup.

"Që nga shpallja e pandemisë së virusit COVID-19 ka zbatuar një seri masash të jashtëzakonshme dhe aktivitete, me qëllim të ngritjes në nivel maksimal të higjienës dhe pastërtisë së zonave publike dhe të trafikut në qytet. Kjo është edhe një kontribut tjetër i yni ndaj luftës kundër virusit COVID-19 dhe mbrojtjes së shëndetit publik. Me kënaqësi iu përgjigjëm kësaj iniciative të qendrës 'Fllorazon' për transportimin e mbeturinave nga pajisjet mbrojtëse që do të mblidhen në këto kontejnerë të vendosur", tha Ana-Marija Brangjolica, zëdhënëse e ndërmarrjes publike Komunale Higjiena-Shkup.

Brangjolica njoftoi se kontejnerët do të fillojnë të vendosen sot dhe kompania do të transportojë këto mbeturina së bashku me mbeturinat komunale.

Kiril Hristovski nga Qendra për Demokraci Ekologjike "Florazon" tha se në kuadër të projektit, 75 kontejnerë specialë për deponimin e mbeturinave nga pajisjet mbrojtëse do të instalohen në të gjithë vendin.

"Duam drejtpërdrejtë të ndikojmë ndaj rreziqeve të përhapjes së mëtejshme të infeksionit të COVID-19 dhe në të njëjtën kohë të ndikojmë në zvogëlimin e të ashtuquajturave mbeturina të COVID-19. Përveç kësaj, çështje e rëndësishme që duam përmes këtij projekti është përgjegjësia sociale e sektorit privat dhe publik dhe gjithashtu përmes kësaj të ndikojë në forcimin e vetëdijës mjedisore publike dhe të nxjerrë në pah dobësitë e praktikave aktuale të sistemit të administrimit të mbeturinave." tha Hristovski.

Ai theksoi se për këtë projekt nënshkroi memorandume me ndërmarrjet publike të qytetit të Shkupit, Kumanovës, Kërçovës, Ohrit dhe Strugës.

Hristovski shtoi se ato si shoqatë ekologjike në mënyrë aktive punojnë në fushën e mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve dhe tregojnë për nevojën e ndërgjegjësimit më të madh në asgjësimin e mbeturinave jo vetëm komunale, por edhe mbeturinave nga maskat ​​dhe dorezat, që klasifikohen si mbeturina të rrezikshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.