BALLKANI

Shkup, në rezidencën e ambasadës turke vendoset shtatorja e Ataturkut

Para rezidencës së Ambasadës së Turqisë në Shkup sot u bë përurimi i shtatores së Mustafa Kemal Ataturkut, e dhuruar nga Shoqata e Bamirësve të Turqisë

Seyyid Emin  | 14.12.2019 - Përdıtësım : 16.12.2019
Shkup, në rezidencën e ambasadës turke vendoset shtatorja e Ataturkut ( Seyyid Emin - Anadolu Agency )

Shkup

Para rezidencës së Ambasadës së Turqisë në Shkup sot u bë përurimi i shtatores së Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në përurimin e shtatores së përgatitur nga skulptori Metin Yurdanur dhe të dhuruar për ambasadën nga Shoqata e Bamirësve të Turqisë, morën pjesë ambasadorja Tülin Erkal Kara, kryetarja e shoqatës Dilek Bayazıt, anëtarë të shoqatës, kryetari i Partisë Demokratike Turke (TDP) në Maqedoninë e Veriut, Beycan İlyas, punonjës të ambasadës dhe të ftuar të shumtë.

Në fjalën e saj, ambasadorja Kara falënderoi kontribuesit në vendosjen e shtatores.

Siç tha Kara, në fshatin Koxhaxhik në Maqedoninë e Veriut gjendet shtëpia e gjyshit të Ataturkut, e restauruar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), në Manastir ai mësoi në Akademinë Ushtarake dhe në Shkup tani gjendet shtatorja e tij.

"Ne kemi parë se Mustafa Kemal Ataturku përvetësohet nga e gjithë bota. Në veçanti, si një bir i Maqedonisë që i ka dhënë shërbime të pafundme Turqisë, ne do ta kujtojmë përgjithmonë këtu", shtoi Kara.

Kara tha se të mërkurën do të largohet nga Shkupi pas një shërbimi trevjeçar si ambasadore, duke shtuar se në Maqedoninë e Veriut ka krijuar miqësi të mira dhe se asnjëherë nuk do ta harrojë këtë vend.

Ndërkaq, kryetarja e Shoqatës së Bamirësve të Turqisë, Dilek Bayazıt, tha se ndihen krenarë dhe të nderuar që gjenden në vendlindjen e gjyshërve të Mustafa Kemal Ataturkut.

"Ne të gjithë këtu jemi admirues të Ataturkut. Ai është ylli i Republikës së Turqisë, themeluesi i Republikës së Turqisë, dhe ashtu do të mbetet gjithmonë", tha Bayazıt, duke falënderuar të gjithë që mundësuan përgatitjen, sjelljen dhe vendosjen e shtatores.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın