BALLKANI

Shkup, mbahet asambleja e Asociacionit rajonal të rregullatorëve energjetikë

Asambleja mbahet të hënën dhe të martën në Shkup nën organizim të Komisionit rregullator për energjetikë të Maqedonisë së Veriut

Abdula Berisha   | 15.04.2019
Shkup, mbahet asambleja e Asociacionit rajonal të rregullatorëve energjetikë

Shkup

Komisioni rregullator për energjetikë (KRRE) i Maqedonisë së Veriut është nikoqir i Asamblesë së përgjithshme të Komitetit për çmime dhe tarifa dhe Komitetit për licencim dhe konkurrencë të Asociacionit rajonal të rregullatorëve energjetikë (ERRA), raporton Anadolu Agency (AA).

Asambleja mbahet të hënën dhe të martën në Shkup, ndërsa në të krahas kryetarit të KRRE-së, Marko Bislimoski, i pranishëm është edhe dhe kryetari i Kryesisë së ERRA, Mart Ots.

Ky i fundit u shpreh mirënjohës dhe falënderoi nikoqirët për organizimin e asamblesë, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është anëtare aktive e organizatës ERRA.

“Ajo që është shumë e rëndësishme për organizatën tonë është çështja e pavarësisë së komiteteve rregullatorë”, theksoi Ots, duke shtuar se rregullatorët ndonjëherë duhet të marrin vendime jopopullore.

Më tej, Ots sqaroi se në asamblenë dyditore do të kenë takime grupet e ndryshme punuese në kuadër të organizatës.

Kryetari i KRRE-së, Marko Bislimoski, tha se ERRA është një prej asociacioneve më të mëdha në botë për komisionet rregullatorë, duke shtuar se e kanë nderin që të organizojnë “ngjarjen më të rëndësishme të vitit, Asamblenë e përgjithshme”.

“Komisioni rregullator për energjetikë filloi anëtarësimin e saj në ERRA në vitin 2004 dhe deri tani është një nga anëtarët më aktiv. Në këtë moment kemi edhe kryesues në njërin prej grupeve”, tha Bislimoski.

ERRA, me seli në Budapest, është asociacion profesional i trupave të pavarur rregullatorë i themeluar në vitin 2001, ku marrin pjesë vende nga Evropa, Azia, Afrika, si dhe Amerika Jugore dhe Veriore. Qëllimi kryesor i Asociacionit është ta përmirësojë bashkëpunimin mes rregullatorëve energjetikë si dhe ta përmirësojë legjislacionin nacional energjetik në vendet anëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.