BALLKANI

Shkup, incident i armatosur në protestën e sotme kundër propozimit francez

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është ndaluar një person i cili ka qëlluar me armë në ajër

Abdula Berisha  | 07.07.2022 - Përdıtësım : 07.07.2022
Shkup, incident i armatosur në protestën e sotme kundër propozimit francez

Shkup

Në protestat e sotme të qytetarëve të udhëhequr nga partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe "E Majta" (Levica), ka ndodhur një incident i armatosur ku nuk ka persona të lënduar, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit kërkojnë refuzimin e propozimit francez për mosmarrëveshjen midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE).

Opozita pretendon se propozimi aktual francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë është i njëjtë me atë të mëparshëm dhe përmban "të gjitha kërkesat bullgare në fushën e gjuhës, historisë dhe identitetit". Ata kërkojnë dorëheqjen e qeverisë.

Demonstruesit po protestojnë për të 6-tën ditë me radhë para Qeverisë, duke marshuar drejt Ministrisë së Jashtme dhe Parlamentit. Në këtë itinerar ndodhet edhe lokacioni ku ka ndodhur incidenti i armatosur sot, ku edhe dje ka pasur hedhje gurësh mes grupeve të ndryshme të njerëzve.

Bëhet fjalë për sheshin Skënderbeu, i cili gjendet në hyrje të Çarshisë së Shkupit.

Në lidhje me incidentin, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) e Maqedonisë së Veriut njoftoi se është ndaluar një person i cili ka qëlluar me armë në ajër.

“Policët e Sektorit për Punë të Brendshme-Shkup privuan nga liria 40-vjeçarin E.J nga Shkupi, i cili paraprakisht kishte gjuajtur me armë në ajër, teksa një grup demonstruesish të cilët po lëviznin nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në drejtim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka prishur rendin dhe qetësinë publike duke gjuajtur me gurë një grup qytetarësh”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Gjithashtu shtohet se personi ndodhet në stacion policor dhe në vendngjarje janë gjetur gëzhoja. Pas dokumentimit të çështjes, MPB do të paraqesë parashtresën përkatëse ndaj tij.

Mickoski: Ky është njeriu që është dashur të më vriste sonte

Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, menjëherë pas incidentit në rrjetet sociale ka publikuar një fotografi të personit të armatosur me mbishkrimin “Ky është njeriu që është dashur të më vriste sonte”.

Më vonë, ai tha në një konferencë për media se incidenti ishte një skenar policor për vrasjen e tij të mundshme.

“Sonte ka ndodhur një ngjarje e rëndë, e cila sipas të gjitha parametrave është një skenar klasik policor, qëllimi i së cilës ishte ose vrasja e një qytetari të pafajshëm, një nëne me fëmijë, një pensionisti, një i riu, ose vrasja ime. Dhe kjo duhet t'i ngjante një konflikti ndëretnik, por në fakt nuk është gjë tjetër veçse një luftë për pushtet, ulëse dhe funksione të partive që janë pjesë e Qeverisë”, tha Mickoski.

Ai tha gjithashtu se për një kohë të gjatë ka marrë informacione joformale për “eliminimin e tij të urdhëruar nga qeveria”.

Mickoski u ankua edhe për mungesën e policëve.

BDI akuzon opozitën për incident të planifikuar

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), pjesë e koalicionit qeverisës, përmes një kumtese për media dënoi incidentet.

"BDI fuqishëm dënon incidentet në protestat anti-europiane të nxitura nga elementet pro ruse në shoqërinë tonë, përfshirë edhe incidentin e inskenuar sonte në sheshin Skenderbeu në Shkup", thuhet në njoftimin e BDI-së.

Nga kjo parti akuzojnë se incidenti ka ndodhur mes aktivistëve të partive opozitare VMRO-DPMNE, "E Majta" dhe Aleanca për Shqiptarët dhe se bëhet fjalë për incident të paramenduar dhe të planifikuar.

"BDI fton për gjakftohtësi dhe mosnxitje të incidenteve ndëretnike dhe dhunës në protesta. Forcat anti-europiane nuk do të ngadhënjejnë sepse vendi ynë është në NATO dhe qytetarët e duan Evropën", thuhet në njoftimin e BDI-së.

Partia opozitare Aleanca për Shqiptarët akuzon pushtetin për incidentin

Reagoi edhe partia opozitare Aleanca për Shqiptarët, të cilët thonë se protesta është e drejtë demokratike, por jo edhe dhuna, vandalizmi dhe gjuha e urrejtjes.

"Për dy ditë radhazi shqiptarët e Shkupit janë të pambrojtur nga shteti dhe nga policia. Huliganët nga protestat e fundit dje dhe sot kanë sulmuar pronat e shqiptarëve dhe qytetarët në Çarshinë e Vjetër dhe Sheshin Skenderbeu. Ju bëjmë thirrje qytetarëve që të tregohen të përmbajtur dhe të kujdesshëm e mos të bien në provokime e skenare të errëta", thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga kjo parti ju bëjnë thirrje partive në pushtet dhe bartësve të institucioneve të mos e ngarkojnë situatën me shpifje politike, por t'i mbrojnë qytetarët dhe "të mos detyrojnë shqiptarët që të vetëmbrohen siç ndodhi sot në Shkup, për të mbrojtur pronën e tyre, bukën e gojës, heronjtë kombëtarë dhe jetën e tyre".

Gjithashtu, nga Aleanca për Shqiptarët dënojnë sjelljen e LSDM-së dhe BDI-së, duke i akuzuar se tensionojnë situatën me akuza për skenarë ndaj opozitës shqiptare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın