BALLKANI

Shekerinska: Anëtarësimi në NATO është edhe mundësi ekonomike

Ministrja e Mbrojtjes, Shekerinska ka pritur në takim zyrtar homologun e saj nga Rumania, pas çka dy zyrtarët kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media

Abdula Berisha   | 11.09.2019
Shekerinska: Anëtarësimi në NATO është edhe mundësi ekonomike ( Abdula Berisha - Anadolu Agency )

Shkup

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, ka pritur në një takim zyrtar homologun e saj nga Rumania, Gabriel-Beniamin Lesh, i cili po qëndron në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri rumun është pritur me nderime të larta, pas çka ka vijuar takimi dypalësh mes ministrave dhe ai mes dy delegacioneve.

Në konferencën e përbashkët për media, Shekerinska falënderoi Rumaninë për ratifikimin e protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, duke shtuar se Maqedonia e Veriut ka pasur mbështetje nga Rumania edhe për çështjet që nuk kanë të bëjnë me NATO-n.

"Ajo për të cilën sot në mënyrë shtesë u pajtuam janë edhe tre sfera në të cilat do të ftojmë ekspertë apo ekipe të lëvizshme të cilat do t'i trajnojnë anëtarët e armatës tonë dhe të punësuarit në Ministrinë e Mbrojtjes", tha Shekerinska.

Ministrja e Mbrojtjes sqaroi se njëra prej këtyre sferave ka të bëjë me shkëmbimin e përvojës nga kompanitë rumune në qasjen e tregjeve të vendeve anëtare të NATO-s, duke shtuar se "anëtarësimi në NATO nuk është vetëm siguri, por edhe mundësi ekonomike".

Ministri rumun gjatë fjalimit të tij tha se në takim është diskutuar për bashkëpunimin dypalësh dhe rajonal, por edhe për bashkëpunimin në kuadër të NATO-s dhe Bashkimit Evropian (BE).

"Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, theksova mbështetjen e vazhdueshme të Rumanisë për përpjekjet për integrim euroatlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, me theks të veçantë në sferat planifikim strategjik, stërvitje, logjistikë, resurse njerëzore, komunikim dhe informatikë", tha ministri Gabriel-Beniamin Lesh.

Ai gjithashtu shprehu mbështetjen e vendit të tij për zhvendosjen e komandos së Brigadës së Evropës Juglindore (SEEBRIG) nga Greqia në Maqedoninë e Veriut.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.