Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, mbërrin për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut
Kjo është vizita e parë e shefit të NATO-s në Maqedoninë e Veriut pasi vendi u bë anëtar i plotfuqishëm i aleancës
Shkup
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me ceremoni zyrtare ka pritur sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore në Shkup, raporton Anadolu.
Kjo është vizita e parë e shefit të NATO-s në Maqedoninë e Veriut pasi vendi u bë anëtar i plotfuqishëm i aleancës.
Sipas agjendës së vizitës zyrtare të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, menjëherë pas ceremonisë së mirëseardhjes është mbajtur takim kokë më kokë me kryeministrin Kovaçevski, pas së cilës mbahet takim bilateral i dy delegacioneve.
Gjithashtu, Kovaçevski dhe Stoltenberg do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media.
Stoltenberg gjatë ditës së sotme do të mbajë fjalim para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, ndërsa do të takohet edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Gjatë ditës së nesërme, Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e takimit jozyrtar të liderëve të aleatëve të NATO-s nga rajoni. Stoltenberg dhe Kovaçevski do të mirëpresin liderët e ftuar të Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi.
Stoltenberg është në një turne katër-ditor në Ballkan nga 19 deri më 22 nëntor, gjatë të cilit ai vizitoi Bosnjë e Hercegovinën, Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.