Shëndetësi, BALLKANI, Koronavirusi

"SHBA do të ndihmojë Kosovën me vaksina kundër COVID-19"

Presidenti amerikan Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së presidentes Osmani që SHBA-ja ta ndihmojnë Kosovën me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit

Agim Sulaj  | 20.04.2021 - Përdıtësım : 21.04.2021
"SHBA do të ndihmojë Kosovën me vaksina kundër COVID-19"

Prishtinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Joe Biden, i cili e ka uruar në emër të popullit amerikan për zgjedhjen e saj në krye të shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njofton komunikata nga Zyra e Presidentit të Kosovës, Biden ka përmendur marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve dhe “partneritetin e gjatë të rrënjosur në vlerat e përbashkëta”, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën”.

Biden ka theksuar se do të punojë me presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë COVID-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike.

Presidenti amerikan i është përgjigjur edhe kërkesës së Osmanit që SHBA-ja ta ndihmojnë Kosovën me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit. Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-ja do të punojë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë në kontakt me presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë.

Më tej në letrën e Bidenit dërguar Osmanit, theksohet se SHBA-ja mbështet vazhdimin e dialogut të Kosovës me Serbinë.

“SHBA-ja do të vazhdojë t’i mbështesë përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, theksohet në letër.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın